Lajçak diskutoi për hapat e ardhshëm të dialogut me Kurtin dhe Bislimin


E enjte, 26 Janar 2023

PRISHTINË – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është kthyer të mërkurën në Kosovë, për të diskutuar hapat e radhës për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai e ka publikuar një fotografi në rrjetin social, Twitter, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, gjatë darkës së punës.

“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka thënë mes tjerash Lajçak.

Diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.

Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.

Vizita e së mërkurës vjen disa ditë pasi Lajçak, së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët për politikë të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë dhe të Italisë.

Për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, Borrell ka diskutuar para ministrave të Jashtëm të bllokut gjatë 23 janarit.

Etiketa: , , ,
Të fundit