Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Largohen kryengritësit e fundit nga ‘kryeqyteti i revolucionit’ në Siri

Prizren Post | 18:34 - 21.05.2017

Televizioni shtetëror i Sirisë dhe një grup monitorues mbrëmë kanë njoftuar se pothuajse të gjithë kryengritësit do të jenë së shpejti jashtë qytetit, duke e përfunduar kontrollin pesëvjeçar ndaj këtij qyteti.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, ka raportuar se afro 400 njerëz, përfshirë 103 persona të armatosur, janë larguar mbrëmë nga lagjja Al-Waer, dhe janë dërguar me autobusë në qytetin verior, Jarablous, që kufizohet me Turqinë, ose në provioncën Idlib, që është nën kontroll të kryengritësve.

Ky evakuim nga qyteti Homs u bë pas një numri të marrëveshjeve gjatë muajve të fundit, për largim të kryengritësve nga disa qytete në pjesën perëndimore të Sirisë, që ishin nën kontroll të kryengritësve, por të rrethuara nga forcat qeveritare.

Qeveria e Sirisë kësaj marrëveshjeje për evakuim i referohet si marrëveshje për pajtim.

Opozita, nga ana tjetër, ka thënë se kjo ishte një zhvendosje e dhunshme e kundërshtarëve të Assadit nga qendrat kryesore urbane.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, tha se policia ushtarake e Rusisë tashmë ka filluar të hyjë në pjesë të lagjes, Al-Waer, dhe se ushtria e Sirisë do të hyjë atëherë kur të largohen edhe kryengritësit e fundit, përcjell REL.

Rusia dhe Irani e mbështesin qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, në këtë luftë tashmë gjashtëvjeçare, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia i mbështesin grupet e ndryshme kryengritëse.


Etiketa:
Arivisti Company