LDK në zgjedhje do të përfaqësohet me emra kredibilë


E shtunë, 9 Janar 2021

PRISHTINË – Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën është diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Pas mbledhjes, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se LDK në këto zgjedhje, do të përfaqësohet me emra kredibilë dhe që përfaqësojnë ideologjinë e kësaj partie, transmeton Telegrafi.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim që ti përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK-së me u zbardh. Kanë me qenë emra kredibil, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK-së duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë “, ka deklaruar ai.

Sa i përket negociatave për koalicione parazgjedhore, Haziri theksoi se ende nuk ka përfunduar asgjë.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë. Janë në bisedime. Kryetari i LDK-së dhe kandidati kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua t’i diskutojë më shumë por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicion e me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë Haziri.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, kurse partitë politike kanë kohë dhjetë ditë që të bëjnë fushatë elektorale.

Etiketa: , , , ,
Të fundit