Limaj: Të merret parasysh ligji bazik për Trepçën


E premte, 13 Shkurt 2015

Prishtinë – Deputeti i Nismës për Kosovës Fatmir Limaj, ka propozuar që nenet që po diskutohen sot në Kuvendin e Kosovës për ndërmarrjet publike, të hiqen komplet e jo të plotësohen ose të amandamentohen.

Nenet të cilat ngrenë çështje që janë të diskutueshme, e posaçërisht për nenin 3, paragrafi 11.3, lidhur me regjistrimin e ndërmarrje publike që thuhet se duhet të bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje.

Njësoj thuhet edhe për njësi të caktuara organizative të ndërmarrjes shoqërore, të cilat janë objekt i regjistrimit si ndërmarrje publike.

Këto të dyja janë kundërshtuar fuqishëm nga ana e Nismës për Kosovës, për të cilën tha se ky plan u jep kompetenca edhe më shumë komunave.

Limaj, ka propozuar që për këtë ligj të shkohet me ligjin bazik i cili është krijuar në vitin 2008 dhe sot këto nene as të mos diskutohen, por të hiqen komplet.

“Çka po doni me rregullu tjetër për komunat kur kjo çështje është e rregulluar. Shumë qartë sqarohet në ligjin e kaluar. Të hiqen këto dy nene sepse as sponzorizuesi nuk e ka idenë se për çka po e bënë”, tha Limaj gjatë seancës së Kuvendit.

Ai, propozoi që vëmendja të bie në ligjin për Trepçën dhe të gjithë të ulen dhe të planifikojnë planin e veprimit, i cili mund të sjellë një ligj më të mirë për Trepçën.

Limaj, ka propozuar që edhe për ligjin e veçantë që do të krijohet për Trepçën, të shkohet dhe të merret parasysh ligji bazik i krijuar më herët.

“Ligji për ndërmarrjet publike është bazik, dhe çdo ligj tjetër i veçantë duhet të mbështetët në ligjin bazik”, tha Limaj./RTK/

Etiketa: ,