Lista Serbe dorëzon mandatet e deputetëve në Kuvend


E hënë, 7 Nëntor 2022

PRISHTINË – Pas vendimit për largim nga institucionet e Kosovës, deputetët e Listës Serbe të hënën i kanë dorëzuar edhe mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.

Kërçeli ka thënë se dorëzimin e ka pranuar zyrtarisht nga administrata.

Dorëzimin e mandateve të deputetëve të Listës Serbe e ka konfirmuar edhe Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhej në njoftim.

Të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq të dielën më 6 nëntor, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e katër komunave veriore.

Etiketa: , , ,