Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Lorik Cana në “Kosova on the World Stage”

Prizren Post | 14:25 - 22.05.2017

Më 25 maj, Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF), do të mbajë ngjarjen vjetore me temën “Kosova on the World Stage” në Russian Tea Room në New York. Përmes kësaj ngjarjeje, do të theksohen sukseset e shumta që e shtyjnë Kosovën drejt vëmendjes ndërkombëtare, në fushën e biznesit, diplomacisë, sporteve apo artit e kulturës. Bursistët e KAEF-it dhe mysafirët e ngjarjes janë ata të cilët po e përforcojnë në vazhdimësi imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

KAEF është program akademik i cili ofron bursa të plota për kosovarët e talentuar, që të vazhdojnë edukimin e tyre të nivelit master në universitetet më prestigjioze në SHBA. Duke u kthyer në Kosovë, studentët e diplomuar përmes njohurive dhe aftësive të tyre të fituara, do të kontribuojnë në ndryshimet pozitive dhe të qëndrueshme për zhvillimin e vendit. I themeluar në vitin 2004, programi i KAEF-it, ka ofruar rreth 90 bursa të nivelit master për studentët kosovarë.

Programi KAEF ka nderin që të ketë mbështetjen e yllit të futbollit, Lorik Cana, dhe të kongresistit amerikan, z. Eliot Engel, të cilët si mysafirë të veçantë do të mbajnë fjalimet kryesore në këtë ngjarje.

Lorik Cana bëri debutimin ndërkombëtar në futboll në moshën 19-vjeçare kur luajti për Shqipërinë në vitin 2003. Pasi luajti në divizionet më të mëdha në Francë, Angli, Itali dhe Turqi, ai u kthye për të udhëhequr Kombëtaren Shqiptare në garën e parë ndërkombëtare të saj, më 2016, në Kampionatin Evropian të UEFA-s.

Eliot Engel, përfaqësues i SHBA-ve nga Distrikti i 16-të i New York-ut, ka qenë lider i Kongresit për Çështjet e Shqipërisë dhe Kosovës që nga mesi i viteve të 90-ta. Duke qenë anëtar i Nënkomitetit për Evropën dhe kryetar i Grupit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, Engel ishte një mbështetës i kamotshëm i pavarësisë së Kosovës. Sot, kongresisti Engel është një ndër anëtarët kryesorë të Komisionit të Punëve të Jashtme dhe vazhdon të punojë nga afër me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Ballkan.

Kjo mbrëmje, tanimë ka një rol të veçantë për programin e KAEF-it, ngase aty shfaqen studentët dhe theksohet kontributi i programit drejt zhvillimit të Kosovës. Gazmend Gjonbalaj, anëtar bordi i Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar dhe njëkohësisht anëtar bordi i programit KAEF, theksoi se “KAEF-i është shndërruar në një mekanizëm shtytës i zhvillimit në Kosovë, ngase bursistët kthehen në vend dhe marrin role të rëndësishme e me ndikim në të gjitha fushat e shoqërisë kosovare”.

Në këtë ngjarje, KAEF-i do të prezantojë çmimin vjetor të dytë me radhë “David Gotaas Community Supporter Award”.

Ky çmim, është emëruar për nder të anëtarit të bordit të Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar dhe njërit nga përkrahësit më të mëdhenj të programit KAEF, z. David Gotaas. Z. Gotaas ka mbështetur bursistët dhe ka besuar në potencialin e KAEF-it për të sjellë një ndryshim pozitiv, për të ardhmen e Kosovës.

Për nder të tij, KAEF nderon anëtarët e shquar të shoqërisë që kanë demonstruar lidership drejt mbështetjes dhe zhvillimit të programit. Përfituesi i këtij çmimi për vitin 2017 do të jetë udhëheqësi global i zhvillimit të kompanisë WeWork, Granit Gjonbalaj, për punën filantropike dhe atë vullnetare ndaj KAEF-it.

Programi KAEF ka nderin të ketë përkrahjen e individëve të suksesshëm dhe avokuesve të Kosovës, sikurse Lorik Cana, kongresisti Engel dhe Granit Gjonbalaj.


Etiketa:

Bëni një koment