Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

LSI: Rama u tregua racional dhe gjakftohtë

Prizren Post | 13:28 - 17.11.2013

Deputeti Petrit Vasili vlerëson se refuzimi i shkatërrimit të armëve kimike nuk do të cënojë marrëdhëniet me SHBA-të.

Duke komentuar vendimin e kryeministrit Rama për të refuzuar shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, vlerëson se Rama u tregua racional dhe gjakftohtë, për një vendim që nuk ishte i lehtë për t’u marrë. Sipas deputetit Vasili, u vlerësuan mundësitë reale që Shqipëria ka në lidhje me atë çka iu propozua. “Sjellja e qeverisë dhe e Kryeministrit Rama, në mënyrë të veçantë, pasi ishte vendimmarrja e kryeministrit, sepse këtu duhet bërë një diferencë, pasi qeveria nuk u shty në vendimmarrje, qëndroi në planin korrekt të komunikimit dhe konfidencialitetit. Pra e konsumoi në mënyrat më të mira, pa e çuar në vendimmarrje të mëdha, tregoi gjakftohtësi, dhe vesh të vëmendshëm të reagimeve, përkundrejt veshit të shurdhër që mazhorancat e mëparshme kanë pasur ndaj reagimeve njerëzore dhe besoj se ky ka qenë një dimension që i ka larguar mazhorancat nga qytetarët dhe ka krijuar atë hendek midis tyre, duke bërë që qeverisjet shpesh të duken artificiale. Nga sot kemi qytetarë të qeverisur dhe qeverisës të një dimensioni dhe të një kuptimi të një marrëdhënie të re”, tha Vasili në një intervistë për “Klan”.

Në lidhje me qëndrimin e LSI-së dhe të kryetarit të kësaj force, deputeti Vasili sqaron se në cilësinë e aleatit më të madh, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë gjatë gjithë kohës i informuar aq sa duhej. “Z.Meta dhe LSI-ja patën aftësinë që të kenë mirëkuptimin dhe qetësinë e racionalitetin për të dëgjuar argu- mentet e Kryeministrit, sigurisht po me të njëjtën qetësi kemi dëgjuar edhe argumentet në tërësinë e tyre fiktive, me një protagonizëm artificial dhe tepër të kërkuar të opozitës, dhe këtë sjellje 360 gradë LSI-ja përcaktoi pozicionin e saj tepër racional dhe gjakftohtë, që zëri i qytetarëve duhet dëgjuar dhe duhej prekur nga afër, ashtu sikurse z. Ilir Meta e preku në mesin e tyre dhe njëkohësisht po me të njëjtën gjakftohtësi të përcaktohej një qëndrim, i cili dhe vlerësonte preokupacionin e partnerëve tanë’, nënvizon Vasili.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, refuzimi nga ana e qeverisë Shqiptare i kërkesës për të shkatërruar armët kimike të Sirisë në vendin tonë, nuk do të cenojë aspak marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA-të. “Në mënyrë absolute jo, është një marrëdhënie që nuk është ndërtuar në një ditë, nuk është ndërtuar mbi një ngjarje dhe nuk mund të shikohet në optikën e një vendimi në një moment të caktuar. Ndaj mendoj se nuk kemi asnjë arsye që të kemi një preokupacion, pasi marrëdhënia e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e tillë, ngaqë është e bazuar në një vokacion shumë pozitiv popullor pro amerikan, i lidhur me atë vokacion që Amerika përfaqëson në botë dhe si i tillë do të vazhdojë të kultivohet, pasi duke qenë vokacion i popullit, nuk mund të jetë i ndryshëm nga vokacioni i qeverisje, cilado mazhorancë që të jetë”, theksoi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili sëbashku me kryetarin kësaj force Ilir Meta takoi protestuesit të enjten para parlamentit. Luis Tanushi


Arivisti Company