LSI thirrje shqiptarëve të Preshevës: Votoni për drejtuesit tuaj


E shtunë, 23 Prill 2016

Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që të votojnë për kandidatët shqiptarë, për drejtuesit e tyre.

Të dielën, në Republikën e Serbisë zhvillohen njëherësh si zgjedhjet në Kuvendin e Serbisë, ashtu edhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.

Prandaj, në kuadër të kësaj dite, u drejtohet të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës, të gjithë përfaqësuesve dhe drejtuesve politikë, qytetarëve me ndikim, intelektualë dhe përfaqësues të kësaj Lugine që me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhjet e nesërme, të dëshmojnë të gjithë forcën e unitetit dhe të bashkimit të tyre.

“Ta kthejnë ditën e zgjedhjeve të nesërme në një manifestim qytetar, në një manifestim evropian, të vendosmërisë së tyre, të bashkimit të tyre dhe të nderimit shqiptar për të gjitha sakrificat, që kanë bërë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Për të dëshmuar kësisoj që forca e bashkimit të tyre, unitetit të tyre, vendosmërisë së tyre, evropianizimit të tyre, dominon mbi interesat e grupit apo mbi interesat partiake.

Pra, të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet që nesër të votojnë për të fituar alternativa shqiptare në Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës është një referencë patriotizmi dhe atdhedashurie për të gjithë shqiptarët”.

Luan Rama kërkon që nesër shqiptarët të dëshmojnë forcën e bashkimit të tyre.

“Pjesëmarrja dhe jo bojkoti, përfaqësimi dhe jo vetëpërjashtimi, prania dhe jo mungesa duhet të frymëzojnë nesër shqiptarët që votën e tyre ta përdorin për të mirën e Luginës së Preshevës që votën e tyre ta përdorin që të fitojnë kandidatët shqiptarë në Luginën e Preshevës, që votën e tyre ta përdorin që në krye të Komunave në Preshevë, në Bujanovç dhe në Medvegjë të jenë drejtues shqiptarë, por edhe që të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë, t’i shprehin, t’i mbrojnë dhe të jenë zëdhënës të tyre deputetë shqiptarë.

Këtë kërkon interesi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Këtë kërkon interesi evropian i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, këtë kërkon i gjithë procesi i integrimit të shqiptarëve në institucionet e Republikës së Serbisë, këtë kërkon mbi të gjitha gjaku, sakrifica, dhe lufta e paepur që kanë bërë shqiptarët e Luginës së Preshevës për të fituar të drejtat e tyre kombëtare”, u shpreh Rama.

Etiketa: , ,