Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Lufta në emër të demokracisë

Prizren Post | 12:55 - 27.09.2016

benjamin-krasniqi

Shkruan: Benjamin KRASNIQI

Njerëzit si krijesa të Zotit, kanë të drejtë të vendosin si të jetojnë, me kë të jetojnë, ku të jetojnë, dhe nga kush të drejtohen.
Liria e individit mbaron aty ku cënohet liria e tjetrit. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për popuj të tërë.

Liria e një populli mbaron në çastin kur i kalon kufijtë e vetë shtetroro-administrativ.
Vetëvendosja është e drejtë universale, themelore dhe e pamohueshme për të gjithë, si në rrafshin individual po ashtu edhe në atë kolektiv. E drejta për vetëvendosje nuk guxon t’i mohohet askujt, sepse kjo paraqet shkelje të parimeve të demokracisë, praime me të cilat sot Evropa e ka gojën të mbushur plotë.
Demokracia është sundimi i popullit për popullin, duke respektuar të drejtat e atyre që nuk i takojnë popullit shumicë.

A ka sot demokraci, a respektohen sot parimet demokratike, që i propagandon bota e moderuar, apo të gjitha këto propaganda janë thjeshtë idiokraci, mashtrime kozmetike dhe vizuele?!
Ata, që sot e propagandojnë demokracinë dhe në emër të saj janë në gjendje të bëjnë edhe luftëra, në të vërtetë janë të parët që e shkelin atë. Ka me mijëra raste të tilla. Mjafton të shikosh lajme në televizion, apo të lexosh gazetën dhe do bindesh.
ShBA si superfuqi botërore, si në rrafshin ekonomik, po ashtu edhe në atë ushtarak, dhe që është në gjendje ta bëjë dallimin në situata të ndryshme, pikërisht ajo sot e shkelë demokracinë.
Po them kështu me shumë përgjegjësi dhe vetëdije të plotë. Nuk jam antiamerikan, por jam parimor.

Në emër të demokracisë, ShBA intervenuan në Afganistan në vitin 2001. A u vendos demokracia aty pasi u larguan talebanet nga pushteti?! A ishte edhe ky intervenim ushtarak në emër të demokracisë, apo në emër të shkeljes së demokracisë.
ShBA intervenuan në Irak në vitin 2003 me pretekstin që Iraku është posedues i armëve të shkatërrimit në masë dhe se diktatori Sadam Husein po bën krime kundër njerëzimit.
ShBA intervenuan në emër të këtyre dy arsyeve, që në shikim të parë janë arsye për intervenim, dhe janë aryse parimore, dhe humane, mirëpo, realiteti qëndron ndryshe nga ajo që ne dimë.
Intervenimi ushtarak u bë, armët e shkatërrimit në masë nuk u gjetën kurrë. Sadam Huseini u vra, demokracia nuk u vendos ende, edhe pas 13 vjet të intervenimit amerikanë në bashkëpunim me NATO-në. Pse tani ShBA nuk largohet nga Iraku?! Përgjigje që mbetet ende enigmë.

Pasi që në emër të demokracisë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, ShBA nuk hezituan të intervenonin ushtarakisht në këto dy vende, pse sot kur është nevoja që ShBA dhe NATO të intervenojnë në Siri ato nuk intervenojnë? Apo, ndoshta tash duhet respektuar integritetin territorial të Sirisë dhe të drejtën e lirisë brenda kufijve shtetror, e po ashtu edhe duhet njohur autoritetin e një krimineli që bën krime kundër njerëzimit, siç është krimineli Bashar al Asad? Këtu nuk i fajësoj vetëm ShBA dhe NATO, por një përgjegjësi të madhe e ka edhe Liga Arabe, në sy të së cilës bëhen tërë këto krime. Kjo Ligë e cila program të saj ka Islamin, pse pra nuk e praktikon atë. Islami thotë: “Muslimanët janë si një trup”. Pse pra muslimanët po lejojnë që në sy të tyre të bëhen këto krime, apo ndoshta ky trup është i mpirë dhe nuk ndjen dhimbjen që po i shkaktohet?! Në një vend ku pushteti përdor armët kimike dhe vret afër 1300 femijë, a nuk duhet intervenuar dhe larguar nga pushteti një kriminel të tillë? Bota sot i mbyllë sytë para këtyre masakrave makabre kundër njerëzimit.

Duke i lënë pak anash këto raste të pushtimit në emër te demokracisë, vjen një tjetër dëshmi për shtetet e zhvilluara që nuk u vijnë në ndihmë atyre që kanë nevojë, në aspektin ekonomik.
Sot me mijëra fëmijë vdesin në Afrikë e në shumë tjera të botës, nga uria, mungesa e ujit të pijshëm, moskujdesi shëndetësor, SIDA, malaria, krimi i organizuar, bandat e drogës etj. Pse askush nuk ndërmerr asnjë hap, por vetëm deklarata. ShBA, BE, Banka Botërore, Liga Arabe e të tjera organizata, pse nuk bëjnë investime që do të ndihmonin të kishte prodhim, e jo vetëm ndihma të përkohshme. Më mirë është ta mësosh dikë si kapet peshku, sesa t’i dhurosh çdo ditë nga një peshk. Apo kjo e dyta nuk është e leverdishme, sepse kjo do t’i bënte këto shtete të forta ekonomikisht, e ata që janë të fortë ekonomikisht, rrjedhimisht janë edhe të pavarur. Të pasurit nuk sundohen.

Sot fuqitë botërore, në emër të demokracisë okupojnë shtete. Në emër të demokracisë bëhen lufta. Në emër të demokracisë, shkelet vetë demokracia. Demokracia është bërë mjetë lufte dhe pushtimi. Sot nuk kemi damokraci në vepër, por vetëm në letër. Demokracia shfrytëzohet, për të sunduar dhe shfrytëzuar resurset e shtetit të pushtuar në emër të demokracisë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company