Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Lufta që do ndryshojë Lindjen e Mesme

Prizren Post | 20:43 - 10.01.2017

Prof. Eroll VELIJA

Nga Turqia, tek Arabia Saudite, kriza irakene do të ketë pasoja gjeopolitike për të gjithë vendet e rajonit.

Mosul Marrja e Mosulit dhe Tikritit nga ana e luftëtarëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, ISIS, ka shkaktuar një valë tronditjeje që është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, duke rritur shqetësimin për përparimin e grupeve xhihadistë që e kanë ndryshuar tashmë kuadrin e luftës në Siri. Këto ngjarje mund shtyjnë shtete të ndryshëm, edhe ata historikisht rivalë, që të bashkohen në një kauzë të përbashkët kundër asaj që është quajtur “pranvera xhihadiste”.

IRANI

Irani, aleat i kryeministrit iraken Nuri al Maliki ka shprehur mbështetjen e tij për qeverinë e Bagdadit në luftën kundër atyre që i ka quajtur “militantë takfiri”, një term i lidhur me ekstremizmin sunit. Pozicioni i Iranit lë të kuptohet perspektivën e një bashkëpunimi me SHBA, që kanë bërë thirrje për një “reagim të fortë dhe të koordinuar” për krizën dhe ka premtuar të ndihmojë al Malikin në përplasjet me xhihadistët. Irani është aleati kryesor i Sirisë.

QEVERIA RAJONALE E KURDISTANIT (QRK)

QKR, e cila adminostron rajonin më të qëndrueshëm dhe më të pasur të Irakut është angazhuar prej kohësh në një mosmarrëveshje me Bagdadin, për cështje që i përkasin naftës dhe kontrollit të territorit. Megjithatë, rreziku i ISIS mund të forcojë bashkëpunimin me Malikin për temën e sigurisë. Luftëtarët kurdë peshmerga, forcat ushtarake më mirë të stërvitura dhe më të motivuara të Irakut, janë duke u përballur me xhihadistët dhe mund të fitojnë terren ndaj shtetit islamik në zonat e provincave të Ninives dhe Kirkukut, duke përforcuar kështu ambiciet e kurdëve për të vendosur një autoritet faktik në një rajon të pasur me naftë.

TURQIA

Qeveria turke ka marrë pjesë në takimet për krizën si në Ankara, ashtu dhe në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Mund të vendosë të ndërhyjë për të shpëtuar 80 turqit e marrë peng nga ISIS. Qeveria është autorizuar nga parlamenti që të kryejë operacione në territorin iraken, për të goditur bazat e partisë kurde në veri të vendit. Turqia ka interesa të rëndesishëm në sektorin energjetik iraken. “Ankaraja druhet se ISIS mund të sulmojë territorin turk, duke shfrytëzuar kufirin e gjatë, që nga Mesdheu në Iran”, thuhet në një analizë të qendrës së studimeve Stratfor. Turqia është reshtuar në krah të opozitës së armatosur siriane.

SIRIA

Shteti islamik ka arritur të marrë disa zona në kufirin mes Irakut dhe Sirisë, ku kontrollon qytetin e Raqqas dhe zona të tjera. Sukseset e ISIS në Siri kanë pasuruar grupin sa i përket furnizimeve dhe pajisjeve. Por frikërat e arabëve dhe perëndimorëve, të shqetësuar se terrorizmi mund të përhapet në Europë, shkojnë në avantazh të Bashar al Assadit: nuk përjashtohet që presidenti sirian të përfitojë nga situata për t’u paraqitur si ledh mbrojtës ndaj ekstremizmit sunit. Nga ana e saj, opozita siriane e mbështetur nga perëndimi mund të paraqitet si e vetmja forcë që ia vlen të mbështetet në luftën kundër ISIS, me objektivin e ndërtimit të një Sirie të lirë dhe demokratike. Assadi ka shprehur solidaritet me qeverinë irakene.

JORDANIA

Jordania, që ndodhet në kufi me Irakun, është e shqetësuar nga përparimi i grupeve xhihadistë. Ka nderin e diskutueshëm që është vendlindja e Abu Musab al Zarkavit, themeluesi i al Kaedës në Irak. Shërbimet e fshehtë jordanezë janë të famshëm për eficencën e tyre. Analisti jordanez Oraib al Rantavi ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë si me Bagdadin, ashtu edhe me Damaskun për të frenuar rrezikun. Kohët e fundit, ISIS ka nxjerrë në qarkullim një video ku kërcënojnë se do të “vrasin tiranin”, domethënë Mbretin Abdullah.

ARABIA SAUDITE

Arabia Saudite dhe shtetet e tjerë të Gjirit janë akuzuar se kanë financuar grupet xhihadistë në Irak dhe në Siri. Nga Kuvaiti tek Katari, sipërmarrës dhe personalitete fetarë kanë financuar ISIS-in dhe formacione të tjerë, si Frontin al Nusra në Siri, edhe pse qeveritë e Gjirit kanë tërhequr mbështetjen e tyre për organizatat ekstremiste islamike, duke premtuar një bashkëpunim më të madh me SHBA. Emërimi kohët e fundit i Princit Mohamed bin Nayef – që ka udhëhequr luftën kundër al Kaedës në Mbretëri – në drejtimin e shërbimeve sekretë demonstron një vëmendje më të madhe për veprimtarinë kundër terrorizmit, e ushqyer edhe prej frikës së pasojave të rikthimit në atdhe të luftëtarëve. Në fillim të muajit, autoritetet sauditë kanë bërë të ditur se nënshtetasit sauditë që kapen se kanë qenë në Irak do të ndëshkohen me gjoba të rënda dhe ndalim udhëtimi për tre vite.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Etiketa:
Arivisti Company