E shtunë, 22 Qershor 2019
Majlinda Kelmendi do të kthehet nga Bjellorusia me medalje të artë. Krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi, ka shkëlqyer në Lojërat Evropiane “Minsk2019”, duke rrëmbyer medaljen e artë, transmeton RTKlive.
Kampionia në fuqi e botës, e ka rrahur rusen Natalia Kuziutina në kategorinë -52 kilogramë, në finalen e madhe të kësaj gare prestigjioze.
Kelmendi mposhti në finale me Ippon kampionen e deritashme të Evropës, rusen, Natalia Kuziutina, të cilës i nxori ‘hakun’ për Distria Krasniqin, e cila kishte humbur në finalen e evropianit të kaluar nga kjo garuese.
Kjo është medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt i kampiones së Evropës. Garat e xhudos në Minsk shërbejnë edhe si Kampionate Evropiane.
Xhudistja Kelmendi ka treguar super-formë sot në “Minsk2019”.
Etiketa: Aktuale, Kosova, Lojërat Europiane Minsk 2019, Majlinda Kelmendi, Xhudo