Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Malaysia Airlines “kërkohet” në një univers paralel

Prizren Post | 09:20 - 18.03.2014

The Onion*

– Pas një sërë raportimesh konfliktuale mbi zhdukjen misterioze të Fluturimit 370 të “Malaysia Airlines”, të shtunën e kaluar, përfaqësuesit nga agjencia e transportit, me bazë në Kuala Lampur, njoftuan se e kanë zgjeruar hetimin për avionin Boeing 777 ditën e sotme, për të përfshirë jo vetëm mundësinë për një dështim mekanik, gabim pilotimi, aktivitet terrorist ose një vjedhje të dështuar, por edhe studimin e hapësirës, kohës dhe vendit që zë specia njerëzore në univers.

Linja ajrore, tani në ditën e pestë të kërkimeve për avionin që mbante 239 pasagjerë në bord, ka arritur në raportime konfuze dhe kontradiktore, të cilat kanë dështuar në ofrimin e përgjigjeve përfundimtare mbi gjithçka, që nga koha e qëndrimit pezull e avionit pas humbjes së kontaktit me kontrolluesit e trafikut ajror, ndryshimi i drejtimit të fluturimit deri tek dimensioni hapësirë-kohë dhe natyra e realitetit, tek krijuesi i ekzistencës sonë dhe ai që na ka pajisur me atë që e quajmë “jetë”.

Linja ajrore konfirmoi zgjerimin e zonës së kërkimit, për të përfshirë disa qindra milje katrorë në Oqeanin Indian, po ashtu edhe shtatë ose 22 dimensione shtesë hapësinore.

Kreu i aviacionit civil i Malajzisë, Azharuddin Abdul Rahman tha se: “Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, qoftë karteziane, qoftë fenomenologjike, për të lokalizuar pajisjen ajrore, sa më shpejt të jetë e mundur.”

“Në këtë fazë, ne nuk mund ta përcaktojmë me saktësi: nuk kishte interferenca ajrore, as dështime katastrofike elektrike, as tipare emergjente topologjike të hapësirë-kohës si në rastin e urës Ajnshajn-Rosen, e cila mund ta ketë depozituar avionin në ndonjë vend në univers, që të ketë një periudhë të ndryshme kohe.”

“A mund ta ketë gllabëruar një univers paralel i shfaqur menjëherë nga luhatjet kozmologjike, sipas teorisë multiverse? Apo akulli ka bllokuar sensorin e shpejtësisë së ajrit? Këto janë dy opsionet që po marrim në konsideratë aktualisht,” shtoi Rahman.

Ai e siguroi shtypin dhe familjarët e pasagjerëve se zyrtarët nuk do të pushojnë derisa ta lokalizojnë avionin.

*Faqe amerikane me lajme satirike


Arivisti Company