Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe Ivanov drejt fitores në zgjedhje


E hënë, 28 Prill 2014

SHKUP, 28 prill – Partia në pushtet VMRO-DPMNE shkon drejt fitores së një mandati të rradhës qeverisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni. Kur kanë mbetur edhe 3 qendra votimi për tu numëruar VMRO-DPMNE ka marrë 42.18% ose 61 mandate depuetësh në parlament. Pas tyre me 24.92% të votave ose 34 mandate ka arritur të marrë partia opozitare LSDM.

Ndërkohë partitë shqiptare kanë marrë respektivisht BDI e Ali Ahmetit 13.48% të votave ose 19 mandate deputetësh dhe partia e Mendu Thaçit, PDSH ka arritur të marrë 5.83% të votave ose 7 deputetë.

Ndërsa 120 vendet në parlamentin maqedonas i plotësojnë partitë GROM dhe RDK me nga një deputetë.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, pritet sërish një fitore e partisë VMRO-DPMNE, dhe e kandidatit për president Gjorgje Ivanov i cili ka marrë 55.25% të votave.

Procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe njëkohësisht i raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale u zhvillua të djelën e 27 prillit. Votimet u hapën në orën 07:00 për tu mbyllur në orën 19:00.

Pjesëmarrja ishte 64% në zgjedhjet parlamentare dhe 54.33% për zgjedhjet presidenciale. Gjatë këtyre zgjedhjeve pati dyshime dhe akuza për manipulim të zgjedhjeve, pasi banorët e Pustecit dyshohet se votuan dy herë. Ndërkaq partia opozitare LSDM deklaroi mbrëmjen e djeshme se nuk do t’i njohë zgjedhjet.