Maqedonia me konsullatë në Durrës, Shqipëria anashkalon Manastirin


E hënë, 29 Korrik 2013

Shkup, 29 korrik – Maqedonia ka hapur një përfaqësi të saj diplomatike në qytetin e Durrësit. Me vendim të Ministrisë së Jashtme është hapur Konsullata e Nderit në qytetin bregdetar. Konsull nderi u emërua Aleksandar Pilo.

“Qytetarët maqedonas dhe maqedonasit në Shqipëri kanë fituar edhe një qendër të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku mund të drejtohen për çështje eventuale apo probleme me të cilat ballafaqohen. Me krenari po valon flamuri maqedonas edhe në Durrës”, thuhet në një njoftim të organizatës “Ilinden”. Nga ana tjetër, Shqipëria akoma nuk ka bërë hapjen e një konsullate apo konsullate nderi në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Me qindra kërkesa të shoqatës “Kongresi i Bashkimit” me seli në Manastir nuk kanë marrë përgjigjen pozitive nga Tirana Zyrtare. Kryetari i shoqatës “Kongresi i Bashkimit”, Fërgim Demiri ka apeluar që është koha e fundit që shteti shqiptar të bëj hapjen e konsullatës në Manastir, që konsiderohet vatra historike e shqiptarëve.

“Ne kemi bërë disa kërkesë, njëra e fundit në bashkëveprim edhe me agjencinë e lajmeve INA, por kemi marrë një përgjigje nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi se në të ardhmen do të shqyrtohet një nismë e tillë, ndërsa nga ministria e jashtme ka qenë përgjigja se nuk mund të përballohen kushtet e funksionimit të saj”, theksoi Demiri. Qeveria e re shqiptare sërish do të përballet me kërkesën e “Kongresit të Bashkimit” për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir, aty ku janë konsullatat e gati të gjitha shteteve ballkanike.

Etiketa: , ,