Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pas votimit Brexit

Prizren Post | 14:37 - 28.06.2016

Londër – Vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja do të ketë pasojat e veta politike dhe ekonomike, jo vetëm për britanikët por edhe për shtetet e Ballkanit.

Shumica e votuesve të referendumit në Britani të Madhe të enjten e kaluar votuan për braktisje të Bashkimit Evropian (BE), duke lënë të tronditur bashkëvendasit, tregjet dhe botën në përgjithësi.

Vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja do të ketë pasojat e veta politike dhe ekonomike, jo vetëm për britanikët por edhe për shtetet e Ballkanit, ndërsa do të duhen vite që kjo të kuptohet në tërësi.

Pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, edhe gjashtë shtete të tjera ballkanike janë duke pritur një epilog të njëjtë, dhe këto janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat bashkë kanë një popullatë prej rreth 20 milionë banorësh. Në këto shtete integrimet evropiane janë në fokus të politikave kombëtare, shkruan Anadolu Agency (AA).

Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negocjatat e anëtarësimit, ndërkohë që BeH-ja ka aplikuar për statusin e kandidatit. Maqedonia ka marrë statusin në vitin 2005 por akoma nuk ka filluar negociatat për shkak të kundërshtimit grek që ka të bëjë me çështjen e emrit (vendi mban emër të njëjtë me rajonin e veriut të Greqisë).

Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008, dhe tani ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në. Ajo shpreson për një progres të shpejtë drejt statusit të vendit kandidat, duke kërkuar fillimisht heqjen e vizave për kosovarët që udhëtojnë në BE.

– Zyrtarët e Ballkanit të brengosur pas votimit Brexit

Zyrtarët e Ballkanit të premten shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me të ardhmen e paqartë të BE-së pas votimit të Britanisë për të braktisur atë, ndërkohë që afirmuan angazhimin e tyre për integrimin evropian. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e quajti rezultatin Brexit si “tërmeti më i madh që ka goditur Evropën që nga rënia e murit të Berlinit”.

Ai vuri në dukje se qeveria e Serbisë do të vazhdojë me procesin e aderimit në BE dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, dha një deklaratë për agjencinë e lajmeve MINA në të cilën sqaroi se vendi do të vazhdojë rrugën e BE-së dhe se është e përkushtuar për vlerat evropiane.

Kryeministri i Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, ka thënë se rezultati Brexit nuk duhet të ketë ndikim në përpjekjet e Bosnjës për t’u bashkuar me BE. Ai argumentoi se vendet e vogla si Bosnjë e Hercegovinë janë të paracaktuara të jenë të pasigurta nëse nuk i bashkohen BE-së.

“Lënia apo anëtarësimi në BE është një çështje e opinionit publik, dhe mbi 76 për qind e qytetarëve të BeH-së mbështesin hyrjen në BE,” shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përzgjedhur faqet e “London Times” për t’u dërguar mesazh politikanëve grindavec të Mbretërisë së Bashkuar për të lënë Shqipërinë jashtë debatit të hidhur për anëtarësimin e Britanisë në BE.


Arivisti Company