MASHT-i, jep 5 milionë euro pa tender


E mërkurë, 18 Mars 2015

Prishtinë – Ministria e Arsimit ka dhënë një kontratë, në vlerë rreth 5 milionë euro, për trajnimin e mijëra mësimdhënësve në nivel parauniversitar, pa hapur fare tender.

Për t’i trajnuar mësimdhënësit për një program që ka të bëjë me licenca evropiane për njohuri kompjuterike(ECDL), Ministria e Arsimit ka vendosur të japë një kontratë në vlerë rreth 5 milionë euro, pa hapur fare tender.

Këtë kontratë në mënyrë të negociuar ia ka dhënë Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK).

Ndonëse ishte ofertuesi me çmimin më të lartë, sipas Ministrisë së Arsimit oferta e AUK-ut ka qenë në përputhje me kërkesat dhe me kushtet më të volitshme sesa ofertuesit e tjerë.

Thuhet se çmimi për një mësimdhënës është 386.75 euro.

Këtë çmim dhe kontratën për dy vjet e ka konfirmuar Peonare Caka, menaxhere e projektit “Teach ECDL” në kuadër të AUK-ut.

Por, Radio Kosova posedon edhe një raport të komisionit vlerësues të përzgjedhjes së operatorit për këtë program të Ministrisë së Arsimit,ku ky çmim është për 95 euro më i lartë.

Aty shkruan se çmimi ofertues i AUK-u është fiks 481.68 euro për njësi, ndërsa 5 ofertuesit e tjerë, që të gjithë, kishin pasur çmime më të lira.

Kësisoj, UBT-ja kishte konkurruar me 424.2 për mësimdhënës (njësi), “Don Bosko” me 299.12,APPK-ja 359.60, “Cactus”-i 423.4 dhe SBASHK-u me 366.6 euro.

Radio Kosova ka kërkuar ta shohë kontratën e dhënë në korrik 2014, por kjo nuk i është lejuar.

Sekretari i MASHT-it, Xhavit Dakaj, është arsyetuar pse nuk është zbatuar ligji për tender të hapur. “Lidhur me përzgjedhjen e ofertuesit për ECDL, kjo nuk realizohet me tender, sepse Ligji i Prokurimit,neni 3,pika 3, e përjashton trajnimin e mësimdhënësve nga procedura e tenderimit, pra kjo nuk aplikohet me prokurim”, ka thënë Dakaj.

Por, neni 3.3 i Ligjit të Prokurimit që janë përjashtimet, të cilit i referohet Dakaj,aplikohet ekskluzivisht për kontratat lidhur me trajnime pasuniversitare apo profesionale nga punëdhënësit, për aftësime specifike të punëtorëve në mënyrë individuale. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për ndonjë punëtor individual, por janë rreth 29 mijë mësimdhënës të Kosovës.

Ligjërisht, për këtë proces, MASHT-i është dashur ta njoftojë Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), sipas nenit 35.1 të Ligjit të Prokurimit. Por, KRPP-ja thotë se kërkesa e MASHT-it për interpretim ligjor kishte qenë mashtruese. “Pyetja e MASHT-it ka qenë interpretimi i nenit 3.3 të ligjit dhe nuk ka qenë e sqaruar nëse është fjala për të gjithë mësimdhënësit e Kosovës. Nga vetë pyetja e MASHT-it e shihni se nuk është bërë ashtu siç kanë vepruar. Ne japim përgjigje vetëm në bazë të pyetjes që bëhet dhe përgjigjja e KRPP-së ka qenë nuk duhet ta zbatoni ligjin nëse është për trajnim individual”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për Radio Kosovën.

Kjo kontratë ka nxjerrë edhe një situatë konfuze,kur është fjala për ankesat.

Njëri nga garuesit Agjencia për Përkrahje të Punësimit(APPK),që sipas Agjencisë së Akreditimit është e vetmja e licencuar për ECDL dhe sipas raportit të MASHT-it kishte çmimin më të lirë, kishte provuar të ankohej.

Por, shefi i kësaj agjencie,Bedri Xhafa, thotë se asnjë nga autoritetet dhe trupat përgjegjës për prokurimin publik nuk kanë pranuar ta trajtojnë ankesën e tyre. “Përveç Ministrisë së Arsimit, i jemi drejtuar Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe, pastaj, Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Na kanë thënë se nuk janë kompetentë për të trajtuar këtë çështje. Kemi pyetur të na udhëzojnë se kush është kompetent, por po del që askush”, thotë Xhafa.

Së fundi, ai u është drejtuar edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë.

Por, përse në këtë rast nuk pati adresë për ankesat?

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik thotë se ky nuk ishte një aktivitet i mirëfilltë prokurimi,prandaj nuk është kompetent për trajtimin e kësaj ankese. Por,gjykata e tenderëve nuk ka dhënë as ndonjë sqarim se kompetencë e kujt janë ankesat në këto raste, kur pazaret bëhen pa hapur tender.

“Ky nuk ishte proces i hapur tenderi, prandaj OSHP-ja nuk është kompetente për ta trajtuar këtë ankesë. Pyetni KRPP-në”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për Radio Kosovën.

E një person nga një segment që e ka mbikëqyrur këtë proces, udhëheqësja e projektit të Komisionit Evropian për ”Ndihmë në ndërtimin e kapaciteteve të prokurimit publik kosovar”, Erzebet Gall ka folur hapur për korrupsionin.

“Ka korrupsion. Raste të tilla më kanë bërë që para pak ditësh të jap dorëheqje nga puna në Kosovë”, i ka thënë Gall Radio Kosovës. Dukagjin Popovci, ekspert arsimor, thotë se MASHT-i po jep miliona për një program që mësimdhënësit nuk kanë ku ta shfrytëzojnë. “Në 90 përqind, ata nuk kanë kompjuterë nëpër shkolla dhe ky është një investim humbës”, ka thënë Popovci.

Sidoqoftë, tani kontrata 5-milionëshe për aftësime kompjuterike të rreth 29 mijë mësimdhënësve kosovarë pret fjalën e prokurorisë./RTK/

Etiketa: , ,
Të fundit