E enjte, 3 Mars 2022
PRISHTINË – Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës u miratua vendimi për blerjen e veprave të artit. Mbi 1 milion euro do të shpenzohen përgjatë 3 viteve për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit.
Ky është një lajm i mirë që vjen pas vështirësive që kemi pasur vitin e kaluar për të sjellur në jetë këtë program. Këmbëngulja jonë që kjo formë e re e vlerësimit dhe mbështetjes së artistëve të dërgohet deri në fund, ka siguruar që programit t’i rritet edhe buxheti por edhe jetëgjatësia.
Programit që ka filluar vitin e kaluar, i kemi shtuar elementin e blerjes së veprave të artistëve të dëshmuar që më nuk janë në mesin tonë. Vepra të panumërta të artistëve të jashtëzakonshëm që gjenden nëpër koleksione private e nuk janë të njohura për publikun, do të kenë mundësinë të ekspozohen para artdashësve nëpërmjet këtij programi.
“Themelet e forta janë më të nevojshme se sa ngritja e shpejtë. Javëve në vijim do të hapet thirrja publike për blerjen e veprave të artit. Përgjatë tre viteve do të pasurojmë fondin shtetëror të artit përmes thirrjeve të rregullta publike dhe blerjes direkte.” – tha ministri i Kulturës ztr. Çeku.