Mbledhja e qeverive në formatin e paraparë nuk do të mbahet


E martë, 13 Qershor 2023

TIRANË – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.

Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohe nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

Megjithatë, Rama tha se përgjigja e Kurtit për ndryshimin e formatit të mbledhjes nuk është përfundimtare, duke shtuar se shpreson që mbledhja të ndodhë.

Çfarë pritej të ndodhte në Gjakovë?

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të zhvillonin mbledhjen e nëntë të përbashkët.

Mbledhjes së dy qeverive, sipas agjendë së dërguar nga Qeveria e Kosovës, ishte paraparë të udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i Shqipërisë, Edi Rama.

Mbledhja në Gjakovë pritej të mbahej disa ditë pasi Rama ua ka dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rreth këtij propozimi, Kurti të martën në një konferencë për media ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.

Qeveria e Kosovës ka thënë paraprakisht se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit