Mbreti i Arabisë Saudite mbyll plazhin francez, vendasit protestojnë!


E diel, 26 Korrik 2015

Mbi 100 000 persona në Francë kanë firmosur një peticion kundër mbylljes së një prej plazheve më të bukur të rivierës në jug të vendit për shkak se aty do të kalojë pushimet Mbreti Selman i Arabisë Saudite.

Banorët pretendojnë se plazhi në qytezën Valori është publik dhe duhet të lejohen të gjithë të kalojnë këto ditë të nxehta, ndërsa kryebashkiaku i ka shkruar një letër edhe presidentit Fransua Holond për t’u ankuar edhe për faktin se banorët nuk do të lejohen të afrohen deri në 300 metra nga vila që ndodhet në kodrën mbi plazh, në pronësi të Mbretit. Megjithatë, autoritetet kanë mbyllur të gjitha rrugët që të çojnë atje për shkak të frikës së bllokimit të tyre nga vendasit.

Mbreti Selman ka mbërritur në Nisë të shtunën, bashkë me eskortën prej 1000 vetësh me dy avionë Boing dhe pritet të qendrojë tri javë në vilën e tij bashkë me rrethin e ngushtë prej 300 vetësh, ndërsa 700 shoqëruesit e tjerë do të qendrojnë në hotele të ndryshme në Kanë.
Por pavarësisht pretendimeve të popullsisë lokale, për përgjegjësit e turizmit, kjo është një mundësi e shkëlqyer për ekonominë e zonës. Mishel Shevijo, presidenti i shoqatës së menaxherëve të hoteleve në Kanë, thotë se një grup i tillë njerëzish është i jashtëzakonshëm, sidomos për fuqinë blerëse që ata kanë.

Të fundit