MCC jep detaje për projektin 200 mil. që do të nënshkruhet sonte nga Kurti e Osmani


E mërkurë, 27 Korrik 2022

WASHINGTON – Në Uashington sot do të nënshkruhet marrëveshja për energjinë mes krerëve të shtetit të Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Kosova dhe Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) sot do të nënshkruajnë marrëveshjen prej 202 milionë dollarëve.

MCC përmes një njoftimi thotë se ceremonia e nënshkrimit do të nisë nga ora 16:00 deri në 17:30, sipas kohës lokale në Uashington.

“MCC dhe Qeveria e Kosovës kanë hartuar një marrëveshje për të adresuar problemin e furnizimit të Kosovës me energji elektrike përmes investimeve në infrastrukturën e ruajtjes së energjisë dhe programeve të trajnimit teknik. Këto investime do të përshpejtojnë tranzicionin e Kosovës drejt një të ardhmeje me energji të pastër, do të angazhojnë fuqinë punëtore të nevojshme për të mbështetur tranzicionin energjetik të Kosovës, do të stimulojnë praktikimin e barazisë gjinore në punësime dhe do të rrisin përfaqësimin e grave në energji dhe sektorët e ngjashëm. Partneriteti MCC-Kosovë do të ketë dy projekte: Atë të ruajtjes së Energjisë dhe projektin JETA që përfshinë edhe investimet në energji solare”.

Nikoqir i ceremonisë do të jetë Gregory Meeks, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright.

Etiketa: , , , ,