Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Më 17 gusht. Prishtina nis mbrojtjen e titullit ndaj Ferizajt

Prizren Post | 09:12 - 29.06.2013

Prishtina do të nisë mbrojtjen e titullit të kampionit kundër skuadrës së rikthyer në elitë, Ferizajt, në edicionin e ri të Raiffeisen Superligës që nis më 17 gusht.

Kampioni aktual i ligës elite mësoi kundërshtarin e xhiros së parë pas shortit të hedhur të premten në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë për kampionatin e ri të Raiffeisen Superligës.

Në tërheqjen e shortit ishin të pranishëm vetëm katër përfaqësues të klubeve: ai i Drenicës, i Ferizajt, i Besës dhe i Fushë Kosovës.

Adem Qollaku nga FFK-ja tha se shorti ishte gjysmë i dirigjuar për ekipet mitrovicase, Trepçën ’89 dhe Trepçën, për shkak se të dyja klubet luajnë në të njëjtin stadium.

89-shi do të nisë sezonin e ri në udhëtim ndaj Feronikelit, derisa Trepça do të jetë nikoqire e Llamkos Kosovës.

Nga shorti i hedhur janë mësuar edhe çiftet e tjera të javës së parë në Superligë: Drita do të presë Besën, kurse e rikthyera në elitë, Fushë Kosova do t’i shkojë Hysit. Hajvalia do të përballet me Drenicën.


Etiketa:
Arivisti Company