Më 19 prill raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë


E enjte, 13 Prill 2017

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë më 19 prill të këtij viti raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, raporton Anadolu Agency.

Konfirmimi për fillimin e procedurave për zgjedhjen e presidenti të ri të Shqipërisë është bërë sot nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në fillim të seancës plenare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon 5 raunde për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president të vendit i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë kandidat. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Kujtojmë se mandati pesëvjeçar i presidentit aktual, Bujar Nishani, përfundon më 24 korrik të këtij viti.

Procedurat për zgjedhjen kanë filluar me herët se në zgjedhjet e kaluara, për shkak se Kuvendi i Shqipërisë në maj shpërndahet.

Në Shqipëri është caktuar 18 qershori si data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ndërsa opozita në vend vazhdon protestën e saj që e ka filluar më 18 shkurt, si dhe bojkotimin e seancave parlamentare, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike.

Etiketa: , , ,
Të fundit