E premte, 13 Tetor 2017
Prishtinë – Qindra qytetarët të Kodrës së Trimave ishin mbledhur në shkollën “Asim Vokshi” në mbështetje të Shpend Ahmetit dhe kandidatëve të Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal.
Mes brohoritjeve të shumta të qytetarëve që kërkonin vazhdimësi të qeverisjes në Lëvizjes në Prishtinë, u prezantuan kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje.
Kryetari Shpendi Ahmeti falënderoi banorët e Kodrës së Trimave për mbështetjen e madhe që po i japin Lëvizjes.
“Kodra e Trimave në Prishtinë, gjithmonë u ka prirë proceseve në të mirë të vendit. Sigurinë e fitores sonë si Vetëvendosje, po e marrim në këtë lagje. Tri tubime gjatë kësaj fushate nëpër Kodër të Trimave, dhe në asnjërin tubim nuk po na zë salla. Me këtë mbështetje qytetare, për neve do të jetë shumë më i lehtë realizimi i zotimeve që japim. Për mandatin e radhës kemi plot 100 zotime, brenda të cilave janë edhe shumë investime konkrete për lagjen Kodra e Trimave”, theksoi Ahmeti.
Deputetja Donika Kadaj në fjalën e saj të rastit tha se Lëvizja Vetëvendosje, përveç fitores së pashmangshme në Prishtinë, pret edhe shumë fitore të tjera në shumë komuna të Kosovës.
“Uroj Kryetarin Shpend Ahmeti për mandatin e radhës, si dhe kandidatët e listës sonë për Kuvend Komunal. Lëvizja Vetëvendosje po rritet në vazhdimësi, dhe rezultat i kësaj rritjeje do të jenë edhe shumë fitore të reja nëpër komunat e Kosovës”, tha ndër të tjera Kadaj.
Etiketa: Aktuale, Shpend Ahmeti, Vetëvendosje