Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Me këto ide Thaçi duket sikur një astronaut që fluturon larg Tokës

Prizren Post | 11:23 - 07.11.2018

PRISHTINË – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj lëvizje ka pasur një takim të martën me Drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin dhe zyrtarë të tjerë francezë.

Në këtë takim është folur për shumë çështje, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, ku edhe u prezantuan katër hapat që duhet të ndërmerren.

“(1) vlerësimi në Kuvend i 33 marrëveshjeve të dialogut gjshtëvjeçar dhe i (mos)zbatimit të tyre; (2) përcaktimi i qëllimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; dhe, më tej, pas zgjedhjeve të parakohshme: (3) platforma negociatore me parime; dhe (4) ekipi negociator me udhëheqës e strategji” ishin hapat për të cilët u diskutua” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Vetëvendosje.

Kreu i Vetëvendosjes e fëlenderoi delegacionin francez për mbështetjen e Francës prej intervenimit të NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës e deri te përkrahja për konsolidimin e sovranitetit të jashtëm të Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Kurti në takim foli edhe për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Thaçi duket sikur një astronaut i vetmuar në një anije kozmike që fluturon larg Tokës, e prej nga propozon shkëmbim territoresh, duke u orvatur të zbarkojë në stacionin rus MIR. Atij i duhet ndalur e ndaluar kjo aventurë e rrezikshme, ai duhet të zbres në Kosovë e të shkojë në shtëpi”, tha ai, bëhet e ditur në një komunikatë të Vetëvendosjes.

Në fund, palët që ishin pjesë e takimit në fjalë u dakorduan që të shtojnë bashkëpunimin dhe takimet.


Etiketa:
Arivisti Company