Meta në Kuvendin e Maqedonisë: Jemi vëllezër ekonomik


E martë, 20 Janar 2015

Shkup – Të ndarë jemi shumë të vegjël, por të bashkuar paraqesim një treg të madh për investimet e huaja.

Kështu ka deklaruar mes të tjerash kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij përpara deputetëve të Maqedonisë.

Meta u ndal veçanërisht te nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy shteteve, sepse siç tha “marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë kyçe për stabilitetin e rajonit”.

Kryeparlamentari tha se pikërisht për këto arsye, ka rëndësi dhe duhet respektuar sovraniteti i Maqedonisë.

“Ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve të Ballkanit, por në zhdukjen e tyre të plotë, ashtu siç parasheh zgjerimi i BE-së. Ne nuk jemi thjesht fqinj, por edhe vëllezër në plan ekonomik”, tha Meta.

Ai u shpreh i kënaqur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe tha se ajo kontribuon në afrimin mes dy popujve.

Duke folur për aktet terroristë në Paris, Meta tha se harmona fetare dhe toleranca mbeten prioritete për Shqipërinë.

Etiketa: