Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Ministri malazez: Demarkacioni është problem i brendshëm i Kosovës

Prizren Post | 16:28 - 10.01.2017

Tiranë – Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviç gjatë vizitës në Tiranë ka deklaruar se vendi i tij ka marrëdhënie të mira me Kosovën.

Në lidhje me demarkacionin ai ka deklaruar se kjo çështje nuk përbën problem për Malin e Zi, është një problem i brendshëm i Kosovës.

Mali i Zi nuk ka asnjë problem në lidhje me çështjen e demarkacionit me Kosovën. Kështu ka dekalruar në Tiranë në vizitën e tij zyrtare ministri i Jashtëm malazez Sërgjan Darmanoviç gjatë një Konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati.

“Mali i Zi ka marrëdhënie shumë të mira me Kosovën. Çështja e demarkacionit nuk përbën një problem për ne. Kjo çështje i takon forcave politike në Kosovë që ta zgjidhin. Është problem i brendshëm i tyre”, tha ai.

Në pyetjen se çfarë hapash ka ndërmarrë Tirana zyrtare në lidhje me ndalimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj nga policia franceze, ministri Bushati tha se janë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Prishtinë dhe me ato franceze dhe të Bashkimit Europian.

Gjatë kësaj vizite të kryediplomatit malazez në Tiranë u fol edhe për krijimin e komunës së Tuzit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi./ Rtk/


Etiketa:
Arivisti Company