E enjte, 24 Gusht 2023
PRISHTINË – Ministresha e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se nga nesër prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ajo ka bërë të ditur se mjetet do të dalin në xhirollogari që nga fillimi i javës së ardhshme.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Nagavci ka thënë se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
“Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka njoftuar ministrja.
Ajo ka shtuar se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër, ndërsa çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, “ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”.
Shikojeni videon e plotë:
Etiketa: Aktuale, Arbërie Nagavci, Kosovë, Ministria e Arsimit