Mitrovicasit, refugjatë në atdheun e vet


E martë, 18 Tetor 2016

kroi-i-vitakut

Prishtinë – 16 vite pas luftës, e 8 vjet shtetësi, qindra familjeve shqiptare të veriut të Mitrovicës, ende u pamundësohen kthimi dhe rindërtimi i jetesës aty nga ku u dëbuan më 1999. Gjurmët e luftës nga djegia e dhjetëra shtëpive në lagjen “Kroin e Vitakut” shihen edhe sot, raporton RTK.

Qindra familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë me qira në jug të Mitrovicës me qenë se ata nuk lejohen të ndërtojnë në veri të Mitrovicës.

Ndonëse shumica prej pronarëve kanë mundësi të fillojnë rindërtimin e këtyre shtëpive ata nuk lejohen nga kreu aktual i komunës së Mitrovicës edhe atë, pa asnjë arsyetim të vetëm ligjor.

Hazir Ferati është njëri nga banorët e veriut të Mitrovicës. Por ai deklaron se ndryshe e ndjen veten.

“Refugjat në vendin tënd. As s’ta paguan shteti qiranë, as nuk të heq asnjë shpenzim. Ne kemi mbetur as andej, as këndej”, thotë Ferati për RTK, transmeton Lajmi.net.

Ferati kishte të ndërtuar shtëpinë në veri deri më 1999, por sot atij nuk i lejohet ndërtimi.

“Strukturat paralele kanë ardhur dhe na kanë penguar. Kemi tentuar prej 2012 ta rindërtojmë shtëpinë, por kemi hasur ne pengesa prej strukturave paralele”, thotë Ferati, të cilit nga veriu i është dashur të kthehet në jug dhe për 16 vite të paguajë qira.

Edhe Ardiana Hoxhiq, zyrtare e Zyrës Administrative në veri të vendit, e quan absurditet që banorëve të kësaj lagje për vite të tëra u pamundësohet kthimi dhe rindërtimi për vjet të tëra.

Sipas saj, politikat e vështirësojnë këtë proces.

“Nuk kemi pasur fuqi që ne ta sigurojmë kthimin në atë mënyrë. Prandaj kemi insistuar që niveli qendror, disa ministri të jenë të kyç në këtë proces, me qëllim që ta kemi përkrahjen e kthimit të qytetarëve”, ka thënë Hoxhiq.