Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mjekët paralajmërojnë bojkot nëse nuk u rriten pagat

Prizren Post | 09:43 - 24.09.2018

Prishtinë – Mjekët që punojnë në sektorin publik kanë thënë se nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, atëherë do të ketë kolaps në sektorin e shëndetësisë dhe se ata do ta bojkotojnë punën.

Mjeku specialist në Kosovë paguhet për punën që kryen me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë vuan nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e tyre të jenë lineare, por ato duhet të kategorizohen.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se janë duke punuar në atë drejtim që të gjitha pagat në sektorin e shëndetësisë të ngriten, por gjithashtu të ketë edhe kategorizime.

“Ditën e martë fillon debati mes Sindikatës dhe grupeve parlamentare, por edhe mjekëve nga parti të ndryshme. Nga qeveria kem informatë, që koeficienti në të cilën na kanë kategorizuar, nuk jemi të pajtimit. Jemi në koeficientit 5 për specialistë dhe 4.5 mjekët e tjerë, por infermierët janë kategorizuar shumë më poshtë. Ne nuk jemi të pajtimit”, tha Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

“Çdo veprim do të merret së bashku me punëtorët shëndetësorë. Nëse ata nuk janë të pajtimit me kategorizim, kam frikë se situata do të përkeqësohet. Janë duke pritur qe katër vjet t’u ngritën pagat. Janë ngufatur dhe mendoj që do të ketë bojkot”, shton Syla.

Sipas mjekëve, rrogat e tyre janë më vogla sesa të kolegëve të tyre në rajon.


Etiketa:
Arivisti Company