“Monstra”, vazhdojnë sërish protestat në Shkup


E premte, 1 Gusht 2014

Këshilli Organizativ për rastin “Monstra” ka bërë me dije se gjatë ditës së sotme, rreth orës 13:45, do të vazhdojnë protestat paqësore deri në lirimin e të gjithë të arrestuarve nga procesi i montuar politik “Monstra”.

Kryesues i Këshillit Organizativ Koordinues si dhe njëri nga familjarët e të dënuarve në rastin Monstra, Bedri Ajdari, deklaroi se qeveria maqedonase po dëshmon se është kryekëput kundër shqiptarëve dhe vlerave kombëtare e fetare.

“Rasti i gjykimit të 6 qytetarëve nga 3 vite burg dëshmon edhe një herë që kjo qeveri dëshiron të ngulfatë zërin e lirë të qytetarit, zë ky i garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj ne, Këshilli Organizativ dhe Koordinues për rastin e montuar politik “Monstra”, publikisht e ftojmë kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin që me kryesinë e partisë së tij, ta shqyrtojnë mirë pozicionin e tyre në këtë qeveri maqedonase, kryekëput antishqiptare, si dhe të dalin përballë protestave e të jenë me popullin e vet, popull i cili çdo ditë po dënohet dhe po ofendohet nga qeveria ku është pjesë edhe ai me partinë e tij”, ka deklaruar kreu i Këshillit Organizativ.

Gjithashtu Ajdari ftoi edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare BDI,PDSH, RDK, si dhe kryetarët e komunave shqiptare, hoxhallarët, intelektualët, dhe të gjithë shqiptarët paqedashës, që ditën e premte të jenë pjesë e protestës mbarëkombëtare, sepse nuk janë vetëm familjarët ata për të cilët duhet ngritur zëri, por ky numër fatkeqësisht çdo ditë po shtohet./shekulli/

Etiketa: , ,