Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

MSA: Emri i ndryshimit të Kosovës?

Prizren Post | 10:44 - 29.10.2015

Blerim SHALA

MSA-ja do të jetë një emërues i përbashkët, për ndryshimet e mëdha të cilat Kosova duhet t’i shënojë këtu, në Evropë dhe në Botë, brenda një harku kohor trevjeçarë.


Pa marrë parasysh ‘lirinë e interpretimit’ të një akti a procesi politik, e cila ndër ne ka marrë trajtën që shquan edhe kundërshtimin e logjikës më elementare, nuk ka dyshim që Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, këtë të martë, shënon një kthesë për të mirë për shtetin e Kosovës.

Është e vërtetë që Planet e Brukselit dhe Prishtinës kanë qenë ndryshe, që prej vitit 2007-të e këndej. Po të ecnin, paralelisht, Kosova dhe BE ashtu siç është dashur, MSA-ja do të ishte e përmbyllur dhe Kosova do ta merrte qysh tash statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Sidoqoftë, tash e tutje, do të hapen mundësitë që Prishtina dhe Brukseli të komunikojnë më ndryshe, që në periudhën e jetësimit të MSA-së, të shënohen disa arritje apo zhvillime të cilat janë të domosdoshme, për ta siguruar rrugëtimin e Prishtinës kah Brukseli. Natyrisht, shpresa e të gjithë neve është që në vitin 2016, do ta fitojmë të drejtën që pa viza të udhëtojmë në shtetet e BE-së që janë në Zonën e Schengen-it. Anëtarësimi eventual në UNESCO në muajin nëntor, pastaj, vetë MSA-ja, tashmë e arritur, Liberalizimi i vizave, përfshirja e Kosovës në UEFA, hyrja në Interpol, (të gjitha këto në vitin 2016), do ta bënin më të qëndrueshëm pozicionin ndërkombëtarë të Kosovës.

Natyrisht, shumëçka do të varet nga vetë rrjedhat politike dhe ekonomike në vend, të cilat janë largë atyre që do ta bënin më cilësore ofertën e Kosovës si shtet, si për qytetarët e vet, ashtu edhe për Evropën.

Çfarë ka rëndësi të veçantë kur flitet tani për MSA-në, është korniza kohore brenda të së cilës, në rastin e veçantë të Kosovës, do të duhej të përmbyllej tema e raportit të shteteve anëtare të BE-së me shtetin e Kosovës.

MSA nuk ka afat strikt kohor, në zbatimin e saj. Me gjasë, ne do të duhet t’i përmbushin obligimet tona, brenda nesh dhe në relacionin me BE-në, brenda një periudhe kohore trevjeçare. Ky trevjetësh mund të jetë vendimtar për stabilizimin afatgjatë të shtetit të Kosovës, si në brendinë e territorit të vet, ashtu edhe në Evropë dhe në Botë. Kosova nuk do të mund ta merr statusin e shtetit kandidat për tu bërë anëtarë i BE-së, poqëse në këtë periudhën e MSA-së, nuk do të njihet nga pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk i janë bashkuar 23 shteteve të tjera që brenda vitit 2008 (që të gjitha), pranuan pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë. Kjo është fare e qartë. Kosova si politikë, si shoqëri, si ekonomi, nuk ka më rezerva shtesë politike dhe sociale, të cilat do të mund ta përballonin një zvarritje të re të kalimit nga stadi i përmbushjes së MSA-së në atë të fitimit të statusit të shtetit kandidat. Autoritetet kosovare, gjithë politika dhe shoqëria kosovare do të duhej të bashkoheshin rreth këtij rrugëtimi të domosdoshëm, i cili atë fjalinë e famshme për ‘perspektivën evropiane për Kosovën’ (të cilëen e dëgjojmë që prej çlirimit të Kosovës e këndje), do ta përkthejë në një proces stabil, i cili do të varet më së shumti prej vetë nesh, prej rezultateve tona në shndërrimin e Kosovës në një shtet evropian.

Korniza kohore e MSA-sa pra, do të duhej të shërbente edhe si afat kohor brenda të të cilit do të përbyllej dialogu i Kosovës me Serbinë, me dy-hapëshën e mbetur: Një herë me Marrëveshjen ndërkombëtarisht obligative, pastaj, me njohjen reciproke. Këto dy akte do t’ia mundësonin Kosovës inkuadrimin në OKB, njohjen e pesë shteteve të BE-së, dhe fitimin e statusit të shtetit aspirues për tu bërë pjesë përbërëse e familjes evropiane.
Fundi i vitit 2018 pra, do të duhej ta gjente Kosovën në një situatë shumë më të mirë se sa fundi i këtij viti.

Për këtë shkak, mund të thuhet që MSA-ja mund të jetë një lloj emëruesi i përbashkët, që nuk ka shumë të bëjë me vet përmbajtjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për ndryshimet e mëdha të cilat Kosova duhet t’i shënojë këtu, në Evropë dhe në Botë.

Kryetemë e brendshme, nga ky pikëshikim, do të jetë luftimi i suksesshëm i krimit të organizuar dhe korrupsionit, apo, krijimi i rrethanave kur sundimi i ligjit do të jetë realitet në Kosovë.


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company