Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Muja: Nuk do të japë dorëheqje

Prizren Post | 13:32 - 14.03.2014

Ramadan Muja

Prizren, 14 mars – Në një konferencë për media, kryetari i komunës së Prizrenit, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, por do të vazhdojë t’ju shërbejë qytetarëve që i besuan ta udhëheq edhe një mandat. “Unë kam të drejtën të ankohem në organet e tjera më të larta të drejtësisë.Kërkesa e opozitës në Prizren për dorëheqjen time është naive”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë me detyrën e kryetarit derisa Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme të provojë fajësinë e tij dhe të 5 ish drejtorëve, të cilët për gati një vit me radhë u ballafaquan me aktakuzën e ngritur nga prokurorja e EULEX-it Natasha Vikeri, për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit.

Përndryshe Gjykata Themelore në Prizren dje kishte marrë vendim, që kreu i komunës Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorët e tij, të shpallen fajtorë për katër pika të aktakuzës, duke ju dhënë shqiptimin e dënimit burg me kusht.

Pas kësaj, LDK-ja në Prizren konsideron që, nuk mundet të qeveriset me Prizrenin me kryetar të shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare, andaj, opozita kërkon që Ramadan Muja të japë dorëheqje, në mënyrë që Prizreni të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës. Kësaj kërkese i bashkëngjitet edhe Lëvizja Vetëvendosje./rtk/


Arivisti Company