E enjte, 1 Shtator 2022
PRISHTINE – Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka ngritur dyshime për të hyrat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe ka kërkuar hetime nga ana e institucioneve përkatëse.
“Do doja të flas edhe për pasqyrat financiare të SBASHK-ut. Kam përmendur shumën e mjeteve që janë derdhur në llogari të tyre në emër të kontributeve nga anëtarësia, nga 25 mijë persona që paguajnë kontribut 2-3 euro në muaj. Prisja që të këtë sqarim se çfarë është bërë me ato mjete”, shtoi Murati.
“Kemi pranuar pjesërisht raporte të auditimit të sindikatave dhe ka shpërputhje mes asaj që ka mbledhur Thesari në emër të anëtarësisë dhe shifrës që SBASHK paraqet si të hyra nga anëtarësia” , theksoi ai.
“Sipas raportit të auditimit të vitit 2017 të prezantuar nga SBASHK-u, të hyra nga anëtarësia të cilat janë derdhur në llogarinë e SBASHK-ut janë 550 mijë e 317 euro e 60 centë. SBASHK-u në pasqyrat e veta financiare, të hyra nga anëtarësia ka deklaruar 220 mijë e 136 euro e 54 centë. Pra, bëhet fjalë për një diskrepancë prej 330 mijë euro”, është shprehur Murati, raporton Kallxo.com.
Tutje, ministri theksoi se diskrepancë të madhe me mijëra euro në SBASHK ka pasur edhe në vitet 2018 dhe 2019 dhe ftoi organet e rendit që të fillojnë hetimet për këto dyshime.
Lexo po ashtu:
Etiketa: Hekuran Murati, SBASHK