Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mustafa kërkoi bashkëpunim dhe mbështetje në samitin e EPP-së

Prizren Post | 16:52 - 19.03.2015

Bruksel – Kryeministri Mustafa nënvizoi objektivat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, shtetin ligjor dhe integrimin evropian.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel, i është drejtuar me një fjalë pjesëmarrësve në këtë samit të rëndësishëm.

Në hapje të punimeve, nikoqiri i takimit Joseph Daul, kryetar i Partive Popullore Evropiane, i dëshiroi mirëseardhje të veçantë kryeministrit Isa Mustafa si dhe shprehu kënaqësinë e tij që sot edhe Kosova po qeveriset nga një parti anëtare e EPP-së.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë fjalës së tij në punimet e samitit të zgjeruar të Partive Popullore Evropiane, i informoi të pranishmit me programin qeverisës të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Mustafa nënvizoi objektivat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, shtetin ligjor dhe integrimin evropian.

Më tutje, kryeministri Mustafa kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve evropiane që edhe qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë si dhe për nënshkrimin sa më parë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Gjithashtu, kryeministri Mustafa kërkoi që të shikohen mundësitë e bashkëpunimit bilateral, që do të krijonte mundësi për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Në Samitin e zgjeruar të grupit më të madh të partive në Parlamentin Evropian EPP, ishin të pranishëm edhe liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Mariano Rajoy, Viktor Orban, udhëheqës të Bashkimit Evropian si dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane./RTK/


Etiketa:
Arivisti Company