Mustafa kryetar i Kuvendit, nëse Thaçi zgjidhet kryeministër


E martë, 23 Shtator 2014

Prishtinë – Isa Mustafa do të mund të jetë kryeparlamentar me kusht që Hashim Thaçi të jetë shef i qeverisë. Kaq mund të bëjë Partia Demokratike e Kosovës për të tejkaluar ngërçin politik.

Kandidati i fundit i PDK-së për kryeparlamentar, Arsim Bajrami, në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka thënë se janë të gatshëm të votojnë Mustafën për kryeparlamentar, me kusht që blloku të mos pres më shumë.

Caktimin e seancës konstitutive për 2 tetor, Bajrami, i cili do të jetë sërish kandidat i PDK-së për kryeparlamentar, e ka arsyetuar me faktin se po u jepet hapësirë partive të reflektojnë dhe të heqin bllokadën ndaj PDK-së, transmeton KTV.

Ai ka ftuar partitë politike që të ulen dhe të bisedojnë, duke potencuar se nuk mund të krijohet asnjë qeveri pa PDK-në në të.

Bajrami ka thënë se zgjedhjet janë rruga e fundit, ndërsa ka akuzuar ish-deputetët e liderët politikë se për interesa vetjake kanë krijuar frymë urrejtje dhe bllokadë institucionale./koha.net/

Etiketa: , ,
Të fundit