E mërkurë, 29 Prill 2015
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) nuk ka hequr dorë nga greva e përgjithshme e mësimdhënësve dhe ajo do të fillojë gjatë ditës së sotme.
Por lidhur me futjen në grevë të mësimdhënësve ka folur edhe Kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Ai ka thënë se greva e sotme e mësimdhënësve është e papranueshme. Mustafa ka thënë se shtetit të Kosovës të gjithë i kanë borxh. Sipas tij është obligim i secilit që të kujdeset për fëmijët që ata të kenë një mësim të rregullt.
“ Para së gjithash e kemi obligim të kujdesemi për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të kenë mësim të rregullt dhe të mos shkaktojmë situata, që ata, në vend se të jenë në klasë dhe në salla të mësimit, të bredhin rrugëve dhe atje ku nuk duhet, nga teket politike dhe kërkesat e pabazuara të disa individëve në sindikatë.”, ka thënë kryeministri i vendit nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
Mustafa më tej ka thënë se pret nga arsimtarët e vendit që sot të të jenë pran nxënësve dhe ta mbajnë mësimin.
“Unë pres nga arsimtarët që ata të jenë pranë nxënësve të tyre dhe të mbajnë mësimin. Është përgjegjësi e madhe të vendoset që nxënësit të lehet në rrugë. Nuk është e drejtë që askush të marrë pagë të plotë e të mos e bëjë punën e vet”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se përkundër vështirësive buxhetore që ka shteti i Kosovës, qeveria u ka rritur pagën mësimdhënësve.
“Qeveria ka ndërmarrë masat e domosdoshme dhe ka siguruar mjetet për pagesën e përvojës në punë, përkundër shumë vështirësive buxhetore të cilat i kemi, të cilat janë shumë më të mëdha sesa duken në opinion”, ka përfunduar ai.
Ndërkaq greva e përgjithshme në Arsimin parauniversitar dhe në Universitet fillon sot në orën 8:00 e deri në 12:00 për arsimin parauniversitar, ndërsa në universitetet nga ora 8:00 deri në orën 16:00”, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga SBASHK.
Sipas këtij njoftimi, gjatë kohës së grevës, të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, derisa greva të zgjasë për aq kohë sa Qeveria nuk i përmbush kërkesat e mësimdhënësve
Etiketa: Grevë, Isa Mustafa, Qeveria, SBASHK