Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mustafa: Vit i veçantë europian dhe euroatlantik për Kosovën

Prizren Post | 12:36 - 01.05.2016

Prishtinë – Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa ka treguar se do të niset për në Budapest, ndërsa nesër atje do ta takojë homologun e tij nga Hungara, Viktor Orbán.

Mustafa ka thënë se me të do të bisedojë për shumë çështje të marrëdhënieve bilaterale, sidomos atyre ekonomike, por edhe për përkrahjen e Hungarisë në proceset eurointegruese.

Përveç kësaj Mustafa i është kthyer ngjarjeve në vend, kur ka thënë se “java që po e lëmë pas, ishte me shumë ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme”. “Në mbledhjen e Qeverisë kompletuam të gjitha kushtet për fillimin e implementimit të programit kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, nga i cili pritet që vendi ynë të përfitojë qindra miliona dollarë investime në fusha, të cilat do t’i vlerësojmë me përparësi së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Mustafa

“Kjo është një përkrahje e fuqishme dhe e veçantë që Shtetet e Bashkuara po i japin vendit tonë. Qeveria, po ashtu, ndau 300 mijë euro për Programin Fulbright, të Departamentit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim të përkrahjes së studentëve, hulumtimeve shkencore, këmbimit dhe ngritjes së kuadrit universitar, kurse pritet që pjesëmarrja financiare e SHBA të jetë disa herë më e madhe për Kosovën në këtë fondacion”.

Mustafa ka treguar se Qeveria aprovoi Kornizën Afatmesme Buxhetore, e cila parasheh rritje reale mbi 20% të të hyrave buxhetore për tre vitet e ardhshme.

“Këto janë rezultate të nxitjes së aktiviteteve ekonomike, racionalizimit të shpenzimeve, rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik dhe buxhetor, të cilat po i realizon kjo Qeveri”, ka thënë ai.

Ka treguar se në Bruksel ka takuar kryetarin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, dhe Federica Mogherinin, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e Komisionit Evropian. “Biseduam për proceset integruese evropiane të Kosovës dhe në veçanti për liberalizimin e vizave. Konstatuam si një të arritur të madhe nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe progresin e shënuar në përmbushjen e të gjitha kërkesave të BE-së për liberalizimin e vizave. Takova edhe mikun tonë, Presidentin e EPP-së, Joseph Daul me të cilin bisedova për shumë çështje të përbashkëta”, ka thënë Mustafa. “Vlerësoj se ky do të jetë një vit i veçantë evropian dhe euroatlantik për Kosovën. Qytetarët e Kosovës meritojnë lajme të mira”, ka shtuar ai.


Etiketa:
Arivisti Company