E diel, 18 Shtator 2022
PRISHTINË – Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka bërë sërish thirrje mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit, që të ndërpresin grevën dhe të rifillojë mësimi në shkollat e Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Nagavci ka shkruar se punëtorët e arsimit janë trajtuar dinjitetshëm dhe pozicioni i tyre është më i mirë tash në Ligjin për Paga, sesa ka qenë paraprakisht.
“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj. Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit”, ka shkruar Nagavci.
Etiketa: Aktuale, Arbërie Nagavci, Greva, Ministria e Arsimit, SBASHK