Namazi i Bajramit falet për herë të parë në Veri


E martë, 5 Korrik 2016

bajrami veri

Mitrovicë – Për herë të parë, 17 vjet pas luftës, banorët shqiptarë të veriut kanë falur sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin ‘Adem Jashari’, në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës.

Më shumë se 200 qytetarë të cilët falën namazin në ambient të hapur, u shprehën tejet të lumtur që pas 17 vitesh sërish po dëgjohet ezani në këtë pjesë të Mitrovicës.

Imami Cena Bala, ka uruar që shqiptarët e veriut në të ardhmen të falen në vendin ku ka qenë Xhamia e Ibrit në veri, dhe jo nëpër xhamitë e ndryshme në jug të qytetit.

Ceremonia e faljes së namazit është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë ku përveç pjesëtarëve të policisë të stacionit të veriut, ka pasur edhe pjesëtarë të KFOR-it, si dhe karabinierë italianë.

Ndryshe, pas shkatërrimit të xhamisë së Ibrit gjatë luftës nga ana e ekstremistëve serbë, e cila ndodhej në veri të këtij qyteti, ky ka qenë rituali i parë fetar që është mbajtur në këtë pjesë, ndërsa është organizuar nga vetë banorët e ‘Lagjes së boshnjakëve’. /KP

Etiketa: , ,
Të fundit