Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

NATO-ja kusht për njohjen e Ivanovit

Prizren Post | 12:40 - 13.05.2014

Shkup, 13 maj – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të pranojë legjitimitetin e presidentit Gjorgje Ivanov vetëm atëherë kur do të arrihet unitet i gjerë për kompromis për emrin dhe hyrje e Maqedonisë në NATO në Samitin në shtator.

Vetëm në atë rast është i mundshëm ndryshimi i qëndrimit të BDI-së për presidentin, brifon për “Dnevnik” funksionar i lartë partiak, pasi dje Ivanov filloi mandatin e dytë në funksionin e presidentit të shtetit.

Nga sjellja e partive në periudhën deri më shtator dhe pritjet nga Samiti i Londrës si dhe Raportit për përparim të shtetit, BDI është e gatshme të shkel mbi qëndrimet e saja rreth jolegjitimitetit të Ivanovit dhe konceptit për shef konsensual të shtetit.

Nga ana tjetër, funksionarë nga VMRO-DPMNE brifojnë se mosnjohja e Ivanovit nga BDI në masë të madhe do të ndikojë në ndarjen e kulaçit qeveritar, pas marrëveshjes e dy partive fituese për mandat të ri qeverisës, ashtu që do të ketë ndryshime në resorë.

Kështu, me Ministrinë e Mbrojtjes, siç pretendohet nga VMRO-DPMNE nuk mund të udhëheq parti që nuk njeh presidentin, ndërsa sipas detyrave dy institucionet duhet të kenë bashkëpunim.

Për këtë arsye, BDI, siç pohohet nuk duhet të shpresojë as për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe deri diku edhe resorin për eurointegrime?

“Problemi i tyre është mospranimi i legjitimitetit të presidentit”, thotë funksionari VMRO-ist dhe shton se në të kundërtën BDI do të sillet në situatë ku VMRO-DPMNE do të duhet të jetë ndërmjetësues për Ivanovin, “e që është absurde”.

Ndërkohë për BDI-në e Ahmetit, nuk ka asgjë të kontestueshme që të mbajnë resorin e Mbrojtjes sepse siç thonë, “presidenti dhe Ministri nuk kanë bashkëpunim veçse protokollar, sepse janë të qarta kompetencat e dy institucioneve dhe në çfarë situate ata bashkëpunojnë”.

Nga BDI, madje nuk shohin problem as në atë që Ministri i Mbrojtjes sipas funksionit është edhe anëtar në Këshillin e sigurimit, trup nën ingerencat direkte të presidentit, që thirret sipas nevojës.

Gjithnjë sipas VMRO-DPMNE-së, bazuar në rezultatet zgjedhore edhe tani pritet ndarje e njejtë ose e ngjashme e resorëve sikur pas zgjedhjeve të vitit 2011.

Ata thonë se nevojiten ndryshime nëpër ministri të cilat për shumë vite janë në duart e BDI-së, si Ekologjia, Ekonomia, Vetëqeverisja lokale po dhe Ministria e Drejtësisë?!

Nga VMRO-DPMNE, pastaj parashohin se BDI do të ketë interes për Ministrinë e Transportit ose të asaj për Punë dhe politikë sociale.

Nga ana tjetër, nga partia e Ahmetit nuk saktësojnë sa do të pranonin ndryshime të disa resorëve, por thonë se ajo do të shkonte shumë më lehtë nëse VMRO-DPMNE është e gatshme dhe ka besim se BDI me sukses do të udhëhiqte me resorët e MPB-së, Financat, ose DHP-në.

Por thuhet se ka edhe pakënaqësi dhe ngopje nga “ministrat e përhershëm” të cilët ishin edhe në qeveritë e LSDM-së dhe të VMRO-së./zhurnal/


Etiketa:
Arivisti Company