Ndalohen për fajde ndaj dy personave në Prizren


E martë, 15 Nëntor 2022

PRIZREN – Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.Gj. dhe A.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Fajdeja në ndihmë”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Gj., nga data 23.11.2020 në vazhdimësi deri më datë 02.02.2022, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Sh.H., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, duke e njohur të pandehurin ngase me të njëjtin kanë jetuar më parë në fqinjësi, shkon tek i pandehuri F.Gj., nga i cili merr njëmijë euro të holla, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 200 euro kamatë mujore, i dëmtuari për 14 muaj rresht vazhdon të paguajë nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2 mijë e 800 euro të pandehurit, mirëpo më datë 24.01.2022 kur nuk arriti t’ i jepte të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 (njëmijë) eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 (njëzetë) euro, nga të cilat njëmijë euro i dëmtuari i jep më datë 02.02.2022, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë”, thuhet në raportin e prokurorisë.

Po ashtu, thuhet se i pandehuri F.Gj., përdori forcën dhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit Sh.H., për ta detyruar atë të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit.

“Kur i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’i sigurojë paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin për toke dhe e godet me grusht në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me dorezë të briskut e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” sipas KPRK-së”.

Ndërsa, i pandehuri A.D., me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë personin tjetër – të pandehurin F.Gj., kur i pandehuri F.Gj., nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh.H., i paguante kamatat tek i pandehuri A.D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit F.Gj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale, “Fajdeja në ndihmë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Etiketa: , ,

Leave a Reply