Ndërtesat hibride: “basti” i fituar finlandez për rigjallërimin e qyteteve


E mërkurë, 7 Janar 2026

Në Tampere, dy orë në veriperëndim të kryeqytetit Helsinki, stadiumi i rinovuar “Tammelan” nuk është zhvendosur shumë larg qendrës së qytetit. Por u desh një dekadë për të ndërtuar këtë strukturë me përdorim të përzier.

Vërtet shumë e përzier: pesë ndërtesa banimi përqark një fushe futbolli që përmban edhe një parking të madh si dhe një qendër tregtare. Përveç përdorimit të tij të herëpashershëm për koncerte, stadiumi, i vendosur në periferi të Tamperes, shërben edhe si palestër për lagjen Tammela.

Kjo e zgjeron përdorimin e tij si një stadium ndërkombëtar – i miratuar nga UEFA për ndeshje ndërkombëtare dhe me një kapacitet prej 8.000 spektatorësh, që të gjitha me një fushëpamje të shkëlqyer – duke e bërë atë shumë larg ‘elefantëve të bardhë’ të frikshëm: ndërtesa të mëdha me përdorime shumë specifike që e prishin strukturën urbane të qytetit.

Prandaj, tipologjia “dy-për-një” tregon një rrugë alternative të rritjes urbane apo riparimit: hibridin. Kjo qasje nuk ka të bëjë vetëm me përshtatjen me sfidën e dendësimit të popullsisë; por edhe me ruajtjen e kujtesës së vendit duke e përshtatur atë.

I ndërtuar në vitin 1930, stadiumi origjinal ishte një nga të parët që u ndërtua në Finlandë. Banorët donin ta ruanin por lagjja duhej të shtohej në dendësi. Zgjidhja erdhi nga dialogu, bashkëpunimi dhe inovacioni.

Prandaj, nuk është çudi që autorësia e projektit është gjithashtu një përpjekje e  përbashkët. Këshilli i Qytetit dhe kompania e ndërtimit “Pohjola Rakennus” bashkuan forcat me studion JKMM me seli në Helsinki për një projekt që zgjati një dekadë për t’u konceptuar, negociuar dhe ndërtuar.

Si e arritën këtë marrëveshje? Në vitin 2014, një projekt i titulluar “Hattutemppu” fitoi konkursin, duke i dhënë po aq rëndësi strukturës urbane të lagjes, shkallës, trafikut dhe madje edhe materialeve të saj të dukshme, sa edhe identitetit të një stadiumi futbolli të vjetër-të ri.

Projekti synonte të përziente tipologjitë dhe materialet. Ndërtesat e banimit do të kishin fasada qeramike, çatitë e të cilave do të shtriheshin për të mbuluar tribunat. Madhësitë e ndryshme të këtyre ndërtesave dhe harqet e varura që formojnë çatitë përgjatë anëve të stadiumit do të mbronin fushën e lojës nga era dhe në të njëjtën kohë, do të përcaktonin identitetin e ndërtesës.

Edhe kjo ide nuk ishte arbitrare: pika më e ulët e çatisë e shmang rënien e hijes në fushë. Tampere është një nga qytetet më të qëndrueshme të Finlandës. Këshilli i qytetit i jep përparësi si dendësimit ashtu edhe rivitalizimit të zonave urbane.

Stadiumi i mishëron që të dyja konceptet. Ndërtimi i tij nuk përfshinte prishjen por vetëm ruajtjen dhe optimizimin e strukturave ekzistuese, i udhëhequr nga ideja se hibridizimi ka të bëjë me shumëzimin.

Popujt skandinavë janë shquar gjithmonë për risi por edhe për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të pasur një jetë sa më cilësore. Në këtë mënyrë, ata tregojnë se dinë sesi të shpenzojnë me shumë efikasitet paratë e tyre.

Në Tiranë paratë nuk mungojnë. Përkundrazi, janë shtuar shumë dy dekadat e fundit. Megjithatë në emër të modernitetit dhe zhvillimit të vrullshëm, është braktisur prej kohësh motoja “rikthim në identitet”, duke rrafshuar lagje të tëra dhe ndërtuar pa asnjë kriter estetik apo edhe urbanistik dhe duke pasur si “yll polar” vetëm fitimin, që me çmimet e 2-3 viteve të fundit po sfidon çdo lloj logjike ekonomike dhe të tregut.


Burimi: tesheshi

Të fundit