Ndihma e Jordanisë për Kosovën do të vazhdojë


E hënë, 28 Shtator 2015

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua në Nju Jork me Mbretin Abdullah II të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.

Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah biseduan për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në procesin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, në fushën e ekonomisë dhe atë të sigurisë.

Presidentja Jahjaga falënderoi Mbretin Abdullah për mbështetjen e vazhdueshme të Jordanisë në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, duke vlerësuar ndihmën e Jordanisë si një ndër partneritet më të rëndësishme të Kosovës në Lindjen e Mesme. Presidentja Jahjaga kërkoi ndihën e Jordanisë për të bashkërenduar me sukses procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.

Në këtë takim, Presidentja Jahjaga gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e bashkërendimit të shteteve partnere në përgjigjen e përbashkët ndaj kërcënimeve ekstremiste. Presidentja vlerësoi se shtetet duhet të ndajnë përvojat dhe të bashkojnë përpjekjet për të adresuar këtë kërcënim global.

Mbreti Abdullah II i Jordanisë vlerësoi lart marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi se ndihma e Jordanisë për Kosovën do të vazhdojë dhe Jordania do të shtojë përpjekjet në politikën e jashtme për ta mbështetur Kosovën në procesin e njohjeve por edhe në procesin e anëtarësimit në UNESCO, përmes shteteve të cilat ka marrëdhënie të mira bilaterale.

Etiketa: ,