Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Ndodh edhe kjo!!! NISMA kërkon zonë ekonomike në fshatin e Fatmir Limajt

Prizren Post | 19:54 - 02.06.2018

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Malishevë – Një pjesë e fshatit Banjë të Komunës së Malishevës, prej ku vjen zëvendës kryeministri Fatmir Limaj, mund të shpronësohet nga Qeveria e Kosovës për themelimin e një zone të veçantë ekonomike. Kjo sipas ministrave të Qeverisë së Kosovës ka koston e dhjetëra miliona eurove. Përveç Banjës, ky shpronësim do të prek edhe fshatin Bellanicë e Senik.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të martën u propozoi kolegëve në kabinetin qeveritarë një pikë e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritarë paraqiti një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicën dhe Senikun.

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj është me origjinë nga ky fshat që pritet të preket nga shpronësimi.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani u kundërshtua pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Sipas Abelard Tahirit, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, Ministri Hasani i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

“Komuna e Malishevës është një ndër komunat që ka më sa paku pronë publike, ne kemi dashtë me shpallë me interes të veçantë, tani është përgjegjëse Ministria e Ambientit me pa se sa, qysh tek, është puna e vlerësimit, veç një mundem me thanë që ato nuk munden me kushtuar shumë, sepse ato janë, sipas informatave që i kemi, çmimet nuk janë të larta”, tha ministri Hasani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë është propozuar të bëhet në Komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me fol, veç është diku mbi 50 hektar”, tha tutje për Gazetën JNK ministri Hasani.

Meqë zëvendës kryeministri Fatmir Limaj është nga fshati Banjë e Malishevës, ministri Hasani thotë se nuk e di nëse planifikimi që është bërë prek ndonjë pjesë të pronave të Limajt, apo familjarëve të tij.

“Nuk e di sa prek në ato fshatra, duhet me i hy me kadastër, sa e prek Banjën, e sa fshatrat tjera, tash mundet me prek naj parcelë të fshatit, por jo me shku te fshati. Nuk e di nëse do të prek ndonjë pronë të z.Limaj, nuk besoj, sepse s’kemi këqyrë ashtu, ajo është kërkesë e Komunës për shkak të pozitës për themelimin e zonës ekonomike”, tha në mes tjerash ministri Hasani.


Etiketa:

Bëni një koment

Arivisti Company