Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Ndryshon projekti i stadiumit të ri kombëtar

Prizren Post | 10:41 - 12.05.2016

Tiranë – “Hollohet” e shumë debatuara, kullë e stadiumit të ri kombëtar “Qemal Stafa”. “Futet në ujë”, lartësia dhe gjurma e saj, ose të paktën kështu ka sugjeruar KKT-ja në mbledhjen e fundit të saj.

Edhe pse ende edhe sot nuk është bërë publike asgjë, në mbledhjen e “blinduar” të KKT-së, kritikat për projektin kanë qenë jo të pakta, nga anëtarët e pranishëm. Shumë prej tyre, mes tyre edhe kryetari i shoqatës së Arkitektëve që u largua, por edhe drejtoresha e monumenteve kanë kërkuar që projekti i parë të ndryshojë në mënyrë drastike në disa komponentë. Tre janë drejtimet që projekti duhet të ndryshojë edhe që i është lënë detyrë arkitektit për t’i zgjidhur. Pika e parë është fasada dhe sheshi.

Për këtë arkitekti italian duhet të zgjidhë së pari çmontimin dhe konservimin e fasadës, së shumë përfolur që është monument kulture. Pika tjetër e debatuar është edhe kulla e stadiumit. Kritikat ka qenë të jashtëzakonshme për projektin me kullë dhe pas reagimeve, edhe ekspertët janë përgjigjur me një “jo” në KKT. Kulla 19 apo 29 katëshe(mbetet për t’u verifikuar), ka “mbetur në klasë” ashtu siç është. Arkitekti duhet të bëjë të pamundurën që ta hollojë, apo të ulë lartësinë apo dhe volumin e kësaj kulle. Mësohet se anëtarët e KKT-së, kanë propozuar apo kërkuar që arkitekti ta sjellë kullën në lartësi të pranueshme. Është propozuar që lartësia të vijë me lartësinë e “Korpustit” apo Universitetit Politeknik.

Ose shumë pranë kësaj lartësie. Në lidhje me “prekjen” e projektit dhe hollimin e kullës, drejtori i stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” dhe anëtari i bordit të Shoqërisë Kuqezi, Eduard Prodani është shprehur dje se: “Për stadiumin mund të kemi të reja brenda dy javësh. Di që po punohet për stadiumin. Mbledhja e KKT-së ka lënë disa detyra mes të cilave edhe uljen në volum apo hollim të kullës. Gjithsesi, arkitektët janë ata që përgjigjen më mirë”, është shprehur duke dhënë një sqarim Eduard Prodani. Së treti, projekti e kullës duhet të hollohet dhe volumi i saj në gjurmë të zvogëlohet.

Kështu edhe përmasat e kullës, veç lartësisë, mund të ndryshojnë. Gjithsesi, këto janë detyrat që ka lënë KKT-ja për projektin dhe është arkitekti ai që duhet të punojë mbi to, nëse financuesit duan që të “kalojnë klasën” në këshillet e territorit. Mësohet gjithashtu se projektuesit dhe financuesit, po bëjnë gati dosjen dhe kanë nisur aplikimet për lejet përkatëse në Bashkinë Tiranë. Ndoshta për dy javë të rejat për stadiumin mund të jenë surprizuese. Kujtojmë që Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama kanë vendosur që të ruajë fasadën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, i cili pas ndërtimit, do të quhet “Arena Kombëtare” apo “Arena e Kombëtares”.

Për ata që ende nuk e kanë mësuar, fasada 70 vjeçare e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” e cila ka ardhur nga Italia dhe që është montuar së bashku me fasadën e Korpusit të Universitetit, godinën e Rektoratit dhe Institutin e Arkeologjisë. Vetë stadiumi prej vitit 2000 është pjesë e së ashtuquajturës Ansambël monument-kulture.

Projekti

Stadiumi i ri është menduar dhe projektuar si një ndërtesë shërbimesh me interes kolektiv dedikuar futbollit, ku falë dhe afërsisë me Universitetin, forcohet ideja krijimit të një pjese të qytetit dedikuar formimit, sportit, kulturës, spektaklit, mikpritjes, mbledhjes së qytetarëve në zhvillimin e aktiviteteve që favorizojnë jetën dhe ndërveprimin midis tyre. Për të favorizuar këtë mision, e gjithë ndërtesa është e rrethuar nga një pjesë e vazhdueshme që përbën një portikat të gjatë, ku ndodhen shkallët e jashtme të cilat çojnë në nivelet një dhe dy ku fluksi i spektatorëve shpërndahet në vendkalimet e shumta rrotulluese perimetrale. Prezenca e këtyre shkallëve bën të mundur shfrytëzimin e katit të parë për ambiente tregtare të cilat do të rijetëzojnë gjithë zonën përreth, duke krijuar një marrëdhënie më të ngushtë e të vazhdueshme me kontekstin.


Etiketa:
Arivisti Company