E shtunë, 17 Shtator 2022
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”, ka folur hapur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe shprehu shqetësimin se Serbia po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina dhe dëshiron që disi të vendoset në Ballkan si alternativë ndaj Perëndimit demokratik.
Sipas gazetës kroate, Kurti nuk e përjashton mundësinë e një lufte në Kosovë sepse në anën serbe të kufirit me Kosovën ka rreth 48 baza operative sulmuese progresive rreth kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 sosh i përkasin xhandarmërisë.
Kurti beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më kurrë luftë.
“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse atëherë vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake dhe kurse kishin planifikuar 91 sosh. Nga ato stërvitje ushtarake, dy më të rëndësishmet janë quajtur ‘Mburoja sllave’ dhe ‘Vëllazëria sllave’”, thotë Kurti, transmeton Telegrafi.
Ndër të tjera, Kurti foli edhe pse kundërshton krijimin e një Asociacionit të komunave serbe, duke theksuar se kjo do të ishte përgatitje për krijimin e një Republika Srpska të re.
Ai posaçërisht ka theksuar se përderisa serbët kanë ëndrra për Kosovën pjesë të Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për Ballkanin, duke theksuar se “në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, por as nuk mund të ketë paqe pa shqiptarët”.
Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë konsideron se Rusia është nëna e Serbisë dhe thekson se për këtë arsye rrethanat në Ballkan janë të përplot rreziqe dhe frikë.
Etiketa: Albin Kurti, Ballkani, Kosova, lufta, Paqja, Serbia