Në Kosovë korrupsioni nuk është perceptim, është realitet


E enjte, 24 Nëntor 2016

korrupsioni-foto

Prishtinë – Ndonëse Kosova nga shumë raporte renditet në mesin e shteteve me nivel të lartë të korrupsionit, zyrtarë institucional vazhdojnë të deklarojnë se korrupsioni në Kosovë është më shumë perceptim se sa realitet.

Por, deklaratat e tilla nga zyrtarë të shtetit të Kosovës cilësohet si të pabaza, nga përfaqësues të shoqërisë civile në vend.

Ata thonë se korrupsioni nuk është vetëm perceptim, por edhe realitet, raporton lajmi.net.

Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se korrupsioni në Kosovë është edhe realitet.

“Deklaratat e tilla i vlerësojmë si të pa baza sepse korrupsioni në Kosovë nuk është vetëm përceptim por gjithashtu është edhe realitet”, ka thënë Sutaj për lajmi.net

Ai duke përmendur raportin i ri “Barometri Global i Korrupsionit (GCB)” i Transparency International, rrjet në të cilin bën pjesë edhe Instituti Demokratik i Kosovës, ka treguar se ky raporton konstaton se dy të tretat e personave në Kosovë e renditin korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në vend.

Sutaj ka thënë se Qeveria nuk e ka marr seriozisht luftën kundër korrupsionit, dhe se në të njëjtën kohë po mungojë edhe rezultatet konkrete nga prokuroria dhe gjyqësia.