Në Kuvend Specialja përsëri në votim


E hënë, 3 Gusht 2015

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish për të votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Kuvendi i Kosovës mban sot seancën e rregullt me vetëm një pikë e rendit të ditës që është; ri-procedimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo është hera e dytë që Qeveria procedon këtë amendament në Kuvend, ndërkohë që herën e parë më 26 qershor ndryshimet kushtetuese nuk morën votat e mjaftueshme.

Nga deputetët e koalicionit, pa opozitën e cila nuk ka votuar fare, amendamenti 24 kishte marrë 75 vota për, shtatë kundër dhe dy abstenime.

Për t’u miratuar ky amendament duhen votat e 81 deputetëve gjë që shkaktoi dështimin e votimit, i cili po kërkohet me ngulm edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në seancën e parë themelimin e Speciales e pamundësuan deputetët e PDK-së së Hashim Thaçit të cilët shtatë prej tyre votuan kundër ndërsa dy abstenuan.

Kësaj radhe edhe Thaçi, por edhe kryeministri Isa Mustafa janë të bindur se i kanë votat e mjaftueshme që ky amendament të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Mustafa tha dje se i kanë numrat ndërkaq një gjë të tillë e ka thënë edhe nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i Kryesisë në PDK, Xhavit Haliti.

Sipas tij, deputetët që herën e kaluar kanë votuar kundër i kanë premtuar Thaçit se do ta votojnë Specialen me përjashtim të katër prej tyre.

Deri më tani nga deputetët që herën e kaluar kanë votuar kundër, nuk janë lëkundur nga qëndrimi i tyre Nait Hasani, Ganimete Musliu, Fadil Demaku por edhe Flora Brovina.

Gjykata Speciale do t’i gjykonte vetëm krimet e luftës që supozohet se janë kryer nga ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit 1998-1999.

Kundër themelimit të Speciales janë shprehur partitë opozitare dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Etiketa: ,
Të fundit