Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Në Tiranë u mbajtë simpoziumi “Keqpërdorimi i fesë: Rasti i Turqisë”

Prizren Post | 23:01 - 21.11.2016

Tiranë – Shoqata Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) ka organizuar sot në Tiranë simpoziumin me temë “Keqpërdorimi i fesë: Rasti i Turqisë”. Në këtë simpozium referuan Prof.Dr. Ismail Bardhi me kumtesën me temë “Njeriu zullumqari i fesë”, Dr. Ihsan Şenocak me kumtesën “Keqpërdorimi i fesë: Rasti i Turqisë” dhe referati u fundit me temë “Humbja e fetarisë në bashkësitë fetare si pasojë e konsumerizmit bashkëkohor ” u mbajt nga Prof.Dr. Metin Izeti, raporton Anadolu Agemcy.

Në fjalën e hapjes së simpoziumit, kryetari i Shoqatës ALSAR, Mehdi Gurra u shpreh se keqpërdorimi i fesë është i papranueshëm, si dhe është rrezik për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare.

“Tentativa për grusht shteti në Turqi mobilizoi të gjithë kombin kundër jo vetëm ushtarakëve komplotues, por edhe të ashtuquajturit grupim fetar, i cili sipas burimeve shtetërore turke organizoi këtë komplot ushtarak, ku bëjnë pjesë një numër i konsiderueshëm i komplotuesve. Gjithashtu duke ju referuar burimeve shtetërore turke organizata në fjalë quhet FETO dhe i është ndaluar aktiviteti i saj. Ndonëse Shqipëria nuk përballet me të njëjtën shkallë penetrimi dhe rreziku si Turqi, duhet patur parasysh se ky lloj ndikimi tashmë është përvijuar edhe në vendin tonë, në sektorët mediatikë, kulturorë, politik, arsimor dhe fetar”, u shpreh Gurra.

Ihsan Şenocak gjatë kumtesës së tij u shpreh se Fetullah Gülen iu tregonte ndjekësve të tij se ku të futen dhe ku të mos shkojnë dhe ku të realizojnë përgjime, duke manipuluar popullin turk dhe fenë.

“Turqia e ka të vështirë të hapë përfaqësi në Afrikë, por Güleni hap shkolla në shumë vende të Afrikës. Normalisht është më e rrezikshme të hapësh shkollë pasi ti do të mbjellësh botëkuptimet e tua në këto shkolla. Por ata (fuqitë e mëdha) i dhanë mundësi Fetullah Gülenit të hapë shkolla dhe jo Turqisë të hapë ambasada. Güleni mori fëmijët më të zgjuar në Turqi dhe i dërgoi ata në vendet e Afrikës. Ai mblodhi 80 për qind të zekatit të shoqatave në Turqi, fondacionet e tjera e kishin të vështirë të operonin. Në këtë mënyrë ata mundën të ndëshkojnë të gjithë fondacionet në Turqi dhe këtë perëndimi i beri përmes Fetullah Gülenit”, u shpreh Şenocak.

Ai ka shtuar se Fetullah Gülen i ka shërbyer fuqive globale dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar shumë dëm Islamit në Turqi. “Ai shkoi deri atje saqë urdhëroi që punonjësit të infiltruar në ushtri të konsumojnë alkool, gratë e tyre të heqin shaminë, etj. E çfarë mund të bëjë më shumë një shejtan? Dhe më në fund më 15 korrik ata gjuajtën mbi popullin e tyre. Kjo ndodhi pasi Güleni futi njerëz në çdo vend për të shembur Islamin nga brenda. Patjetër që ne nuk mund ta kuptonim pasi ai nuk fliste nga kisha, por nga xhamia. Nëse Güleni ka një plan global, duhet të dijë që Allahu ka strategjinë dhe planin e tij”, ka theksuar Şenocak.

Duke u rikthyer përsëri në ato që ndodhën në 15 korrik, Şenocak tregon se arma më e madhe e asaj nate ishte duaja. “Këtë e shohim edhe tek thirrjet e kryetarit të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë i cili thoshte se e gjithë bota është me Erdoğanin dhe i bënte thirrje që të mos dorëzohet”, ka shtuar më tej Şenocak.

Ndërsa Prof. Dr. Ismail Bardhi në fjalën gjatë kumtesës së tij ndër të tjera është shprehur: “Njeriu është fajtor për gjithçka derisa sheh, derisa shitet e blihet dhe derisa mundohet të merret me të pamundshmen dhe harron të mundshmen. Kjo do të thotë se ai dëshiron të bëhet disi ‘Zot’, por harron se ai nuk është i lindur të bëhet i tillë, ndaj bëhet i pamundshëm.” Ai më pas shtoi se vetë fjala keqpërdorim tregon pikërisht siç ka ndodhur edhe me tekstet e shenjta që janë keqpërdorur. “Ashtu sikurse thuhet edhe në Kur’an ‘Ata që sajojnë gënjeshtra ndaj Allahut nuk kanë sukses'”, është shprehur ai në vijim të fjalës së tij.

Ndërsa Prof. Dr. Metin Izeti, ligjërues pranë Universitetin shtetëror Tetovës, në fjalën e tij ka dhënë disa shpjegime duke u referuar versteve nga Kur’an-i Kerim, në lidhje me humbjen e fetarisë në bashkësitë fetare si pasojë e konsumerizmit bashkëkohor.


Arivisti Company