E mërkurë, 14 Maj 2014
Nga lista preliminare e cila është krijuar nga Komisioni Qendrorë Zgjedhor (KQZ), procesit të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen me 8 qershor, do t’i nënshtrohen gjithsej 1 milion e 786 mijë 929 votues.Kështu është thënë sot gjatë një mbledhje që ka mbajtur KQZ-ja, ku është folur për procesin e përgjithshëm të përgatitjes për zgjedhje.
Enis Halimi, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, ka thënë se në bazë të planit operacionale për sa i takon shërbimit të votuese, më 9 maj KQZ ka marrë ekstraktin e parë të regjistrit qendrorë civil, me qëllim krijimin e listës preliminare të votuesve.
“Lista preliminare e votuesve për vitin 2014 përmban 1 milion e 786 mijë 929 votues, numri i votuesve të rinj në listën preliminare të votuesve është 32 mijë e 190 nga këta 20 mijë e 759 që kanë mbushur moshën 18 vjeçare pas 3 nëntorit të vitit 2013 apo që do ti mbushin 18 vjet deri më 8 qershor 2014”, ka thënë Halimi.
Ai gjithashtu ka pohuar se deri më tani, nuk ka ndonjë problem të identifikuar i cili mund të rrezikonte procesin zgjedhor.
E, një problem i vogël me përfaqësuesit e Komisionit Komunalë Zgjedhorë i ka dalë Aleancës Kosova e Re, e cila në KKZ do të përfaqësohet si Koalicioni për Kosovë të Re.
Anëtarët e KQZ-së kanë thënë gjatë kësaj mbledhje se të gjitha partitë duhet të përfaqësohen në KKZ ashtu siç kanë qenë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se për shkak të disa gabimeve teknike që janë përvjedhur, janë ngjallur edhe keqkuptime për përfaqësimin si AKR apo KKR.
“Në këtë rast KKR-së si subjekt politik që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm si e tillë mund të përfaqësohet edhe në Komisionin Komunalë Zgjedhor. Aty si e tillë ne i kemi rekomanduar sekretariatit që në të gjitha rastet të jetë KKR por si duket është përvjedhur ndonjë gabim teknik”, ka thënë Rrustemi.
E Aleancës Kosova e Re e cila në Komisionin Komunalë Zgjedhorë do të përfaqësohet si Koalicion për Kosovën e Re, do ti duhet që përfaqësuesin ta vendosin me marrëveshje.
Koalicioni për Kosovë të Re ishte i përbërë nga AKR-ja, PD-ja dhe grupi E15.
Në këtë mbledhje të KQZ-së janë miratuar emërimet për komisionet komunale zgjedhore në zgjedhjet 2014, e po ashtu është miratuar edhe çregjistrimi i tri partive politike: Partia e Pensionistëve dhe Invalidëve, Lidhja e Egjiptianëve të Kosovës dhe Partia Socialiste e Kosovës.
Ndërkohë KQZ ka miratuar edhe tingullin, dizajnin dhe sloganin e fushatës për informim publik.
“Fuqia në dorën tënde, VOTO!”, do të jetë slogani i këtij procesi zgjedhor. /Telegrafi/
Etiketa: Kosovë, KQZ, Zgjedhjet